Shërbimet e Gjykatës, sot në mëngjes, tri herë kanë tentuar që t`ia dorëzojnë ish-Kryeministrit të Maqedonisë Nikola Gruevski vendimin se i refuzohet kërkesa për anulimin e vuajtjes së dënimit. Vendimi, siç thuhet, është dërguar në adresën e tij të letërnjoftimit por askush nuk e ka hapur derën.

Sipas procedurës, nëse edhe MPB-ja nuk e gjen, do të duhet të shpallet fletë-arrest. Si mundësi që t’i dorëzohet vendimi mbetet seanca gjyqësore për rastin “Titanik” edhe pse e caktuar për sot është anuluar për të mërkurën. Nga burgu i Shkupit kanë njoftuar se Gjykatësit për ekzekutimin e sanksioneve tashmë kanë dërguar njoftim se Gruevski gjatë fundjavës nuk është paraqitur në mënyrë vullnetare në burg. Ekipi i tij i avokatëve ka shteruar të gjitha mundësitë juridike për anulimin e dënimit, dhe tashmë ish-Kryeministrit Gruevski si shpresë e vetme i mbetet falja nga Presidenti i vendit.

Ish-Kryeministri Gruevski sigurohet nga disa truproja që janë edhe zyrtarë të MPB-së, por sipas rregullave ligjore ata nuk janë të detyruar t’u raportojnë urdhërdhënësve për lëvizjet dhe lokacionin e personit që e sigurojnë. Nga Ministria e Brendshme nuk kanë njoftuar nëse e kanë kërkuar këtë informatë.

Në opinionin vendor gjithnjë e më shpesh po shtrohet pyetja ku është ish-Kryeministri Nikola Gruevski duke marrë parasysh faktin se që nga e premtja ai nuk është parë në publik, e as në rrjetet sociale, diçka që e praktikonte kohëve të fundit, e as u përgjigjet thirrjeve telefonike. Nga partia e tij mbeten në qëndrimin se Gruevski është i pafajshëm dhe se është viktimë e përndjekjes politike.