Ish-Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski, i cili është në kërkim nga autoritetet e vendit të tij, dyshohet të jetë arratisur përmes Shqipërisë.
Kështu shkruan gazeta serbe “Politika”, e cila në kryeartikullin e saj sqaron se Nikolla Gruevski kaloi kufirin maqedonas drejt Shqipërisë në mënyrë të paligjshme.
“Ish-Kryeministri i Maqedonisë, me një pasaportë false kaloi gjatë natës kufirin maqedono-shqiptar dhe shkoi në mënyrë ta paligjshme drejt Tiranës ku u strehua në ambasadën e Hungarisë. Të nesërmen në mëngjes, përmes kompanisë ‘Malev’ fluturoi nga Tirana drejt Budapestit”, shkruan gazeta serbe.
Ekuipazhi i aeroplanit nuk e kishte idenë se cili pasagjer ndodhej në bord. Nikolla Gruevski ishte veshur me kapele dhe syze, të cilat nuk i hoqi as në avion, shkruan e përditshmja serbe.
Ish-Kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski dy ditë më parë njoftoi se ndodhej në Budapest të Hungarisë dhe kishte aplikuar për azil, me pretendimin se kishte marrë mesazhe kërcënuese. Ditën e djeshme, autoritetet hungareze bënë me dije se kanë pranuar kërkesën për azil të Gruevskit.
Ish-Kryeministri i Maqedonisë është shpallur në kërkim pasi është dënuar me 2 vite burgim për blerjen e një Mercedesi 600 mijë Eurosh në kohën kur ishte kreu i qeverisë maqedonase. Arratisja e tij u zbulua kur policia shkoi ta arrestonte në shtëpi dhe nuk e gjeti.