23 shkurt 2014 – Më në fund kombëtarja jonë ka njohur kundërshtarët në eleminatoret e Euro 2016. Një grup relativisht i vështirë për kuqezinjtë tanë, të cilët kanë përballë tyre ekipe shumë të forta. Nga vazoja e parë, u përzgjodh Portugalia, ekip me të cilin jemi përballur disa herë dhe në përgjithësi sfidat me lusitanët kanë qenë pozitive, ku vlen të përmendet se kemi arritur të barazojmë edhe në “Estadio Da Luz”, ndërsa kemi bërë ndeshje të mira edhe në “Qemal Stafa”, ku duket se Ronaldo nuk e ka harruar ende mbrojtjen tonë. Ndërkohë, nga vazoja e dytë, është sërish një njohje e vjetër e Kombëtares sonë, Danimarka, me të cilën jemi ndeshur edhe në edicionet e kaluara, ndërsa vetë fitorja e parë historike e Shqipërisë ka ardhur ndaj danezëve në vitin 1964 me rezultat 1-0. Ndërkohë, për herë të parë ndeshemi me Serbinë, edhe pse më përpara me Jugosllavinë janë zhvilluar plot 5 ndeshje zyrtare, nga të cilat nuk kemi arritur të marrim asnjë fitore. Sfida ka një rëndësi të veçantë për kombëtaren tonë, aq më tepër që vjen në një moment kur Kosova ka fituar të drejtën e përfaqësimit në ndeshje miqësore. Ndërkohë, një tjetër kundërshtar i vështirë për ekipin tonë është edhe Armenia, me të cilën jemi ndeshur tre herë dhe kemi një fitore, një humbje dhe një barazim, por është një ekip nga i cili duhet patur kujdes, pasi ka lojtarë të mirë që luajnë në kampionate prestigjoze të Europës, shembulli: Mkhitaryan.

 Grupi: Portugalia, Danimarka,  Serbia, Armenia, Shqipëria