*OSHO

Ka shumë persona që kanë qëllime shumë të mira dhe bëjnë gabime të mëdha. Flasin për njësimin e të gjitha religjioneve. Është njëlloj si të flasësh për përdorimin e të gjithë çelësave që ekzistojnë, për të hapur një portë… duke i njësuar tërë këta çelësa. Një është i mjaftueshëm! Tepër çelësa nuk do të të lejojnë të hapësh një bravë. Çdo çelës do të mund ta hapte, por tepër çelësa shkaktojnë vetëm pështjellim.

3 mars 2015 – Këta çelësa tradicionalë janë që të gjithë çelësa vendorë. Janë zhvilluar në një botë të ndarë. Nuk ekzistonte një mendje universale; nuk ka ekzistuar kurrë, përsa i përket së ashtuquajturës dije sonë historike. Ndonjëherë fenomeni i mendjes universale ka ndodhur, por kjo është diçka që shkon pëtej historisë së qytetërimit tonë, përtej kujtesës sonë.

Nganjëherë, në të shkuarën, ky fenomen ka ndodhur… ka ekzistuar një mendje universale. Por është harruar krejtësisht. Për t’ju dhënë një shembull, do t’ju flas për një apo dy gjëra.

Në Angli, e ndërrojnë datën në mesnatë. Në të vërtetë, kjo gjë nuk ka kuptim; duket absurde. Askush nuk mund të zgjohet nga gjumi për të ndryshuar datën. Është gjë jo logjike, jo praktike. Data duhet ndryshuar në mëngjes: kjo po që ka kuptim. Kësisoj, përse në Angli data ndryshohet gjatë natës? Përse është një gjë e tillë është shndërruar në rregull? Ka një arsye. Kjo ndodh sepse, kur në Indi është ora 5 e 30 të mëngjesit, në Angli është mesnatë. Ka qenë një kohë, para këtij qytetërimi, në të cilën mendja hindu mbizotëronte në mbarë botën. Kur Perandoria britanike u shtri në të gjithë botën, ora e Grinuiçit ishte ora bazë, ora mbretërore. Të gjithë i referoheshin asaj. Në të njëjtën mënyrë, para Luftës Mahabharati, në kohën kur mendja hindu mbizotëronte botën, kur ishte mëngjes në Indi qe koha për të ndërruar datën. Në Angli ishte mesnatë, prandaj datën e kalendarit e ndërronin atëherë. Me rënien e Perandorisë britanike, ora e Grinuiçit u harrua, e një ditë askush nuk do kujtohet për të; por data e kalendarit ka vijuar të ndryshohet simbas orës indiane.

Mund të habitesh, por para treqint vjetësh, parlamenti anglez bëri një ligj të posaçëm për ta vendosur fillimin e vitit më 1 janar. Deri para asaj kohe, data e kalendarit  në Angli mbaronte më 25 mars. Si është e mundur që viti të mbarojë më 25 mars. Nuk ka kuptim. Por kjo ishte dita në të cilën mbaronte viti indian, e kjo qe imituar nga e tërë bota. Kësisoj, parlamentit anglez iu desh të bënte një ligj të posaçëm për ta ndryshuar.

Fjala «dhjetor» do të thotë «muaji i dhjetë». Por dhjetori është i dymbëdhjeti. Përse qe zgjedhur ky emër për muajin e dhjetë? Dhjetor do të thotë dush (dhjetë) në sanskritisht, dhe ky është muaji i dhjetë i muajit në kalendarit indian. Në një mënyrë apo një tjetër, tradita e vjetër ka vazhduar. Java e fundit e muajit dhjetor njihet në mbarë botën si Xmas. X është numër romak që tregon dhjetë, ndërsa mas do të thotë muaj në sanskritisht. Xmas do të thotë muaji i dhjetë. Po përse në dhjetor? A nuk duhet të jetë dhjetori muaji i dhjetë? Është kështu sepse renditet i dhjeti në kalendarin indian. Por kjo traditë zë fill qysh përpara luftës Mahabharati, rreth pesë mijë vjet të shkuara.

Në Mahabharata, flitet për Arjunën e martuar me një vajzë meksikane. Fjala sanskrite maxikabëhet Meksiko. Qytetërimi meksikan që ekzistonte asokohe kishte aq shumë simbole hindu, sa nuk mund të mos e thuash se ishte një qytetërim hindu. I tërë qytetërimi meksikan ishte hindu: tempuj hindu, zota hindu… ishte madje edhe hyu Ganesh. Por sot është si të mos ketë qenë kurrë kështu.

Vetëm kohët e fundit jemi rikthyer në një botë universale në të cilën Arjuna mund të martohet me një vajzë meksikane. Së shpejti nuk do të ketë më kultura vendore. E për këtë kulturë pa një pikë vatrore, duhet të zbulojmë çelësa të rinj, më të gjerë e më të rrjedhshëm, më pak të fortë e më shumë të rrjedhshëm… çelësa që mund të përdoren për shumë brava.

Disa grupe janë shumë të gjallë, për shembull grupi i Ashokës. Nëse Ashoka ka bërë diçka domethënëse më shumë se çdo perandor tjetër i botës, kjo është pikërisht krijimi i këtij grupi ezoterik prej nëntë vetësh. Akbari u orvat ta imitonte Ashokën në shumë mënyra. Edhe ai krijoi një grup prej nëntë vetësh, por nuk rezultoi diçka e përfillshme. Ishin vetëm oborrtarë…Nava Ratna, nëntë sythët e Akbarit. Por ishin thjesht sythë të imituar… ekzoterikë. Njëri prej tyre ishte një poet, një tjetër luftëtar. Kjo nuk ka kuptim. Akbari u vu në dijeni se Ashoka kishte një grup prej nëntë të urtësh, prandaj krijoi një grup prej nëntë sythësh. Por nuk dinte asgjë prej grupit të Ashokës, kështu që ajo që bëri nuk kishte kuptim.Grupi i Ashokës vazhdon të mbahet që prej dymijë vitesh. Grupi është ende gjallë, ka çelësin… është veprues ende sot. E tërë lëvizja teozofike qe nistuar nga ky grup. Ja pse Buda u bë figura më e rëndësishme e teozofisë. Në njëfarë kuptimi, e tërë teozofia ka qenë budiste ose hinduiste, dhe ja se pse në vendet perëndimore është besuar se ekzistonte një përpjekje lindore për të konvertuar Perëndimin… që hinduizmi ishte duke vepruar me një petk të ri. Deridiku është e vërtetë që është lindore, sepse grupi nistues ishte një grup budist.

Edhe ti mund të jesh në kontakt me grupe ezoterike. Ka teknika dhe metoda për t’ia arritur kësaj. Por do të duhej të punoje shumë me vetveten. Kështu siç je nuk mund të hysh kurrë në kontakt me ta. Ti do të kalosh pranë një rrethi ezoterik, por nuk do të jesh në gjëndje as t’i dallosh. Duhet të ndryshosh vetveten, të sintonizohesh në një dimension të ri. Për të ndjerë vibracionet e reja, duhet të bëhesh më i ndjeshëm. Atëherë nuk do të më pyesësh nëse kam qenë në kontakt me ndonjë grup ezoterik. Do mund ta dish thjesht duke qëndruar pranë meje; do mund ta dish thjesht duke më vështruar në sy. Do ta ndjesh. Thjesht duke dëgjuar fjalët e mia, apo duke dëgjuar heshtjen time, ti do mund të kuptosh.

Por kjo do të ndodhë vetëm nëse ti ndryshon vetveten, sintonizohesh në një realitet të ri, nëse hapesh ndaj një dimensioni të ri. Grupet ezoterike ekzistojnë, dhe kanë ekzistuar gjithmonë. Por ti je i mbyllur; i mbyllur në mendim, i mbyllur në vetvete… pa hapje, pa dritare e pa porta. Qielli është atje lart; hape dritaren, e do të njohësh qiellin dhe yjet.

Sado larg që të jenë, thjesht duke hapur dritaren tënde që është kaq afër, ti hyn në kontakt me yjet e largët. Në njëfarë mase është gjë e palogjikshme. Si mund të hysh në kontakt me yjet e largët, duke hapur diçka që është kaq afër? Nëse unë të them: «Hap dritaren prapa teje dhe do të hysh në kontakt me tërë universin», ti do të thuash: «Është absurde. Si mund të hy në kontakt me atë që është aq larg, thjesht duke hapur këtë dritare që është kaq afër?».

Por kështu është. Hap një dritare në mendjen tënde, krijo një dritare meditimi, e do të jesh në kontakt me shumë drita të largëta, me shumë ndodhí që i ke gjithnjë përreth. Fill mbas cepit atje, pikërisht pranë teje, ndodh gjithçka, por ti je i verbër dhe i përgjumur… ose thjesht nuk je i vetëdijshëm.

Unë jam këtu, por ti nuk mund ta konceptosh atë që është duke ndodhur këtu. Nuk mund ta konceptosh!

Kohë më parë studioja në universitet. Ditën e përvjetorit të Budës, zëvendësrektori mbajti një diskutim. Atëherë isha student i vitit të parë. Zëvendësrektori tha: «Do të kisha dashur të jetoja në kohën e Gautama Budës. Do të kisha rënë përmbys te këmbët e tij».

E ndërpreva me fjalët: «të lutem, mendoje edhe një herë këtë që the. Të lutem. Mendohu edhe një herë, e mandej fol. A përnjëmend do të kishe rënë përmbys te këmbët e tij? Në këtë jetë, a ke rënë ndonjëherë përmbys te këmbët e një lypësi? Buda ishte lypës. A ke rënë përmbys te këmbët e ndonjë lypësi që është mjeshtër, një mjeshtër i botës së padukshme? Me sa di unë, nuk e ke bërë ndonjëherë. Kësisoj, ju lutem rishqyrtojeni edhe një herë nëse, po do të jetonit në kohën e Budës, do të binit përmbys te këmbët e tij, nëse do ta kishit njohur. A keni njohur ndokënd në këtë jetë?».

Zëvendësrektori mbeti i shastisur, i zënë në befasi. Heshti gjatë, e mandej tha: «I tërheq ato që thashë, sepse nuk e kisha menduar kurrë këtë. Në të vërtetë, nuk kam shkuar kurrë te ndokush, kësisoj më duket logjike se nuk do të kisha shkuar as tek Buda. E edhe sikur ta hasja në rrugë, nuk do ta shikoja, nuk do ta njihja».

Nuk është se kushdo që hynte në kontakt me Budën, e njihte. Nuk ishte kështu! Nganjëherë Buda kalonte mespërmes një fshati dhe askush nuk e njihte. Deri dhe i ati nuk e njihte. Deri dhe gruaja e tij nuk e njihte.

Unë jam këtu. Ti nuk mund ta njohësh atë që është përbrënda; vetëm ajo që është e jashtme mund të njihet. Ti njeh vetëm të jashtmen; por kështu duhet të jetë. Ti nuk je në kontakt me brendësinë tënde, kësisoj si mund të jesh në kontakt me brendësinë time? Kjo është gjë e pamundur.

Por është më e lehtë nëse je në kontakt me brendësinë tënde. Atëherë mund të jesh në kontakt me brendësinë time, ose me brendësinë si e tillë. Përndryshe, do të vijosh të më bësh pyetje, ndërsa unë do të vazhdoj të të përgjigjem. Atëherë çdo gjë i shmanget thelbësores.

Unë të përgjigjem jo pse tashmë ti e merr përgjigjen nga përgjigja ime. Jo, unë nuk shpresoj kurrë kundër shpresës, nuk shpresoj kurrë që përgjigja ime të bëhet përgjigja jote. E di mirë që përgjigja ime nuk të bën fare dobi. Po atëherë, përse vazhdoj t’u përgjigjem pyetjeve të tua? Vazhdoj të të përgjigjem, jo pse shpresoj që përgjigja ime të bëhet përgjigja jote, por sepse, nëse ti mund të më dëgjosh në mënyrë krejtësisht të heshtur, përmes këtij dëgjimi të heshtur ti do të ndeshesh drejtpërdrejt me brendësinë time. Mund të shpërthejë brënda teje papritmas, e krejt papritmas ti mund të gjëndesh në një tjetër botë që është plotësisht e ndryshme nga çdo botë në të cilën ke jetuar.

E nëse kjo ndodh, atëherë ti ke arritur në një ekzistencë të re. Ajo ekzistencë e re është jotja. Është një e fshehtë ezoterike, okulte. Ajo ekzistencë e brendshme ka gjithçka që ti kërkon.

Marrë nga libri: Unë jam pragu*