E kanë nisur pak nga pak, por në 2-3 dekadat e fundit shumë sipërmarrje kanë arritur të fuqizohen, të diversifikohen dhe të çajnë në një treg me mjedis të vështirë dhe konkurrencë që ka ardhur duke u shtuar.

Pjesa dërrmuese e grupeve më të mëdha në vend kanë kapital shqiptar dhe janë kontribuues të rëndësishëm në ekonominë shqiptare përmes pagimit të taksave dhe punësimit.

Më poshtë jepen një përmbledhje e grupeve kryesore në vend sipas qarkullimit vjetor dhe performancës së sipërmarrjeve kryesore që ata zotërojnë.

Kastrati

Grupi Kastrati është tregtuesi më i madh i karburanteve në vend, ka aktivitet në fushën e sigurimeve dhe të tregtimit të automjeteve dhe së fundmi po diversifikon aktivitetin dhe në fushën e ndërtimit. Qarkullimi vjetor i grupit i afrohet 500 milionë eurove në 2017-n.

Dy kompanitë kryesore të grupit, Kastrati sh.a. (tregtuesi me shumicë i naftës) dhe Kastrati sh.p.k. (tregtuesi me pakicë), kishin të ardhura të kombinuara prej 57.8 miliardë lekësh, me rritje të lehtë nga një vit më parë.

Në sigurime, Alb Siguracion ka zgjeruar të ardhurat me 12%, në gati 2 miliardë lekë.

Edhe kompania tjetër e grupit, Auto Star Albania, përfaqësuesi zyrtar i Mercedes-Benz në Republikën e Shqipërisë, ka rritur të ardhurat me 18% në 2 miliardë lekë (në tetor 2015, Kastrati sh.a., bleu 75% të aksioneve të kompanisë).

Një kompani e re e grupit është Tenet, me aktivitet në transportin dhe tregtimin me shumicë të naftës e gazit, e krijuar në fillim të 2017-s, që raportoi 1.8 miliardë lekë të ardhura në vitin e parë të aktivitetit.

Balfin

Grupi Balfin, me interesa në tregti me pakicë, qendra tregtare, ndërtim, turizëm, miniera, është më i madhi në vend.

Pjesë e Grupit Balfin janë Qendrat Tregtare TEG dhe QTU, kompania AlbChrome, Mane TCI, Green Coast Luxury Resort, Vala Mar Residences, Tirana Logistic Park – i vetmi park logjistik në Shqipëri, rrjeti i dyqaneve Neptun në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni; Jumbo në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnjë; rrjeti i dyqaneve SPAR Albania, Fashion Group etj.

Pothuajse të gjitha kompanitë e grupit kanë shënuar rritje të të ardhurave në vitin 2017.

Kompania më e madhe e grupit është Albchrome, me xhiro 9.8 miliardë lekë në 2017-n; e ndjekur nga Neptun, me 7.5 miliardë lekë; Spar Albania me 4.9 miliardë lekë; Mane TCI me 1.6 miliardë lekë; Kid Zone (Jumbo), me 1.6 miliardë lekë të ardhura. Për të gjitha shoqëritë e grupit, që renditen në listën e 200 më të mëdhenjve, të ardhurat janë rritur me 22% në 2017-n.

Përveç Shqipërisë, Grupi Balfin ka prezencë në rreth 10 shtete të botës. Sipas burimeve zyrtare, qarkullimi total vjetor i Balfin Group, përfshirë aktivitetin në Maqedoni, Bosnjë, Kosovë, ishte 440 milionë euro, nga e cila 72% është realizuar në Shqipëri.

Çalik Group

Grupi turk, Çalik, që zotëron dy kompani të mëdha në vend, BKT e Albtelecom, është një ndër më të mëdhenjtë në vend dhe ka realizuar një xhiro të kombinuar prej rreth 27 miliardë lekësh në 2017-n.

Grupi Agna

Dy kompanitë kryesore të grupit, Agna sh.a. (shpërndarës produktesh dhe investues) dhe Alfa sh.a. (ambalazhues i Pepsi, Ivi, 7Up, Lipton Ice Tea; prodhues i Glina dhe Spring; shpërndarës i Heineken, Amstel, Alfa Beers, Tsantali Wines dhe Shark Energy Drink), realizuan për vitin 2017 një xhiro prej rreth 23.6 miliardë lekësh, me rritje prej 10.2% në raport me vitin e mëparshëm.

Grupi Infosoft

Kompanitë kryesore të Grupit Infosoft kanë realizuar në total një xhiro prej 21.2 miliardë lekësh në aktivitetin në Shqipëri në vitin 2017, pothuajse e pandryshuar në raport me vitin e mëparshëm. Aktiviteti i tij kryesor në Shqipëri përfshin Infosoft System, Infosoft Office, në fushën e teknologjisë së informacionit, si dhe kompanitë e shpërndarjes e tregtimit në segmentin FMCG, Inter Distribution Service, Interbrands dhe Inter Trade & Distribution (51% të aksioneve, pasi në fund të vitit 2016, 49% të kuotave të ITD iu shitën grupit Balfin).   /MONITOR/