Gjykata e Durrësit ka dhënë masën e sigurisë për ekuipazhin e anijes “Geni”, të cilët u kapën pak ditë më parë me 62 mijë litra naftë kontrabandë.

Gjykata ka vendosur masën arrest me burg për shtetasit: Elton Qevani (pronari i anijes) dhe Selim Gaba (kapiteni) , ndërsa masën Detyrim Paraqitje për shtetasin Klajdi Kapxhiu.

Në kuadër të operacionit “Geni” u sekuestruan rreth 62.000 litra naftë të kontrabanduara, të ardhura nga Libia, si dhe 2 mjete lundruese peshkarexha, konkretisht anija shqiptare “Geni” dhe anija libane “ABOBAKR 124”, si dhe u arrestuan edhe 10 shtetas të huaj.

Po ashtu Gjykata e Durrësit ka lënë në burg edhe shtetasit e huaj: Muhamet Eltawargy, Muhamed Arafe, Ahmed Zantawi, Ahmet Abdurrabu, Said Nwegi, Muhamed Mahmut, Eshref Kahlife, Islam Ashkar, Ali Hadad, dhe Adil Badawi.

Ndaj tyre rëndojnë veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Kontrabanda e kapitenit, pilotit ose ekuipazhit”,dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.