Grupi Parlamentar i PD-së ka paditur në SPAK, ministren e Energjisë, Belinda Balluku duke e akuzuar se vetëm për 1 vit grabiti rreth 180 milionë euro me shitjen e energjisë.

Në një deklaratë për mediat, kreu i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi deklaroi se ministrja Belinda Balluku ka shmangur shit-Blerjen e energjisë në bursë për të favorizuar 4-5 kompani pranë saj. Ndërsa u shpreh se nga shitblerja e energjisë jashtë bursës dëmi i shkaktuar ishte gati 16 milionë euro.

“Përgjegjësja kryesore për zbatimin e kësaj skeme korruptive që vjedh buxhetin e shtetit dhe kalon miliona euro në llogaritë e 4-5 kompanive private është Ministrja e Energjisë, Belinda Balluku”, tha Bardhi.

Ai thekson se ka depozituar në SPAK me dokumente, sipas tij, të gjitha veprimet dhe mosveprimet e ministes Ballukut “e cila ka lejuar që energjia elektrike të shitet me humbje jashtë tregut të Bursës, në kundërshtim me ligjin dhe vendimet në fuqi, duke vjedhur hapur qytetarët shqiptarë”.

Bardhi ka shpjeguar edhe rolin e Belinda Ballukut në atë që e konsideroi, një “aferë abuzimi prej miliona eurosh”.

“Ministrja e Energjisë është Kryetare e Asamblesë së Përgjithshmë të KESH-it, personi përgjegjës që firmos për shpenzimet dhe bilancet e kompanisë. Pa miratimin e Belinda Ballukut, skema okulte e shitblerjes së energjisë jashtë bursës dhe abuzimi me miliona euro do të ishte ndalur. Ministrja e Energjisë, si kryetare e Asamblesë së Përgjithshme të KESH-it nuk ka marrë asnjë masë për të ndaluar praktikën e paligjshme të shitblerjes së energjisë jashtë bursës, me një dëm të frikshëm prej gati 16 milionë euro vetëm për periudhën e analizuar nga ana jonë”, theksoi ai.