Tiranë, 3 mars 2014 – Ndërmjetësi i vrasësve me pagesë, Andon Mëhillaj pranon një nga krimet. I vetëdorëzuar në policinë e Vlorës më 13 shkurt, Andon Mëhillaj i akuzuar si njëri prej ndërmjetësve të një sërë krimesh me pagesë të kryera nga Julian Sinanaj dhe Ndriçim Gjokona, ka pranuar se porositi vrasjen e Sokol Veizit, po në qytetin e Vlorës.
 
I marrë në pyetje nga Prokurorët e Krimeve të Rënda, Mëhillaj thotë se “Sokol Veizi po ndërtonte shtëpinë në tokën time”.
 
Ndërsa mohon akuzat për vrasjen e Agron Çelës, apo për përfshirje në atentatin ndaj prefektit të Vlorës. Andon Mëhillaj mohon të ketë porositur C4-n e gjetur në makinën e Besnik Dervishit, atentati ndal të cilit u shmang në sajë të konstatimit në kohë të eksplozivit.
 
Agron Çela dhe Sokol Veizi janë ekzekutuar nga Julian Sinanaj, i cili ka pranuar se dy vrasjet janë kërkuar nga Andon Mëhillaj.
 
Andon Mëhillaj dhe kushëriri i tij Genis Mëhillaj, i shpallur tashmë në kërkim ndërkombëtar, akuzohet si ndërmjetës të vrasjeve me pagesë të kryera nga Julian Sinanaj dhe Ndriçim Gjokona.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/