Grupimi qytetar “Bicycle Durrës” njofton se kanë zhvilluar një takim me zv.kryetarin e Bashkisë Durrës, Florian Tahiri përgjatë muajit dhjetor të vitit që lamë pas, për të prezantuar guidën për ndërtimin e infrastrukturës çiklistike në rrugët e qytetit bregdetar.

Gjatë prezantimit të studimit të hartuar nga ekspertë të fushës përfaqësuesve të Bashkisë Durrës ju kërkua që t’i japin vëmendje përdoruesve të biçikletës dhe të nisin ndërtimin e korsive të biçikletave.

“Guida që sapo ju dorëzuam është një projekt i përgatitur nga ekspertë. Përmbajtja e saj tregon mundësitë, analizon infrastrukturën e qytetit dhe se si mundet bashkia që në investimet e ardhshme të reflektoj kërkesat e qytetarëve të saj për ndërtimin e korsive të biçikletave”, është shprehur drejtuesi i projektit, Xheni Shtemari.

Pas dorëzimit të guidës për ndërtimin e infrastrukturës çiklistike, Tahiri premtoi se bashkia do e shikojë me vëmendje guidën për rindërtimin e infrastrukturës çikliste.

“Ne do e shikojmë me vëmendje studimin që keni bërë ju së bashku me ekspertët. Pas shqyrtimit të guidës besoj që në investimet e ardhshme mund të fillojmë të kemi dashamirësinë për ndërtimin e korsive të biçikletave”, tha ai.

Edhe qytetarët i kërkuan bashkisë që t’i jepte një vëmendje përdoruesve të biçikletës.

“Duhet të filloni të dëgjoni qytetarët në kërkesat e tyre sepse janë në të mirë të qytetit. Unë personalisht jam një përdoruese biçiklete dhe kur dal në rrugë kam frikë se mund të pësoj ndonjë aksident”, u shpreh Marjeta Guzi, pjesë e grupimit “Bicycle Durrës”.

Ndërkohë një i ri tjetër tregoi se mungesa e korsive dedikuar biçikletave për pak sa nuk i ka kushtuar jetën.

“Unë afërsisht një vit kam qëndruar në krevat, nuk lëvizja dot pa ndihmën e familjarëve ose të patericave. E për çfarë?! Se në qytetin tonë nuk ka korsi biçikletash, një ndër qytetet më kryesor të vendit”, tregoi Ogert Keçi gjatë takimit.

Pas dëgjimit të kërkesave të qytetarëve, por edhe të grupimit të “Bicycle Durrës”, zëvendëskryetari falënderoi grupimin për punën.

“Ju përgëzoj në emër të Bashkisë Durrës për iniciativën që keni ndërmarrë sepse është diçka shumë e bukur dhe frytdhënëse për qytetin dhe qytetarët njëkohësisht”, u shpreh Florian Tahiri.

Gudia çiklistik është një studim i hartuar nga akrtiektë dhe urbanistë të pavarur në kuadër të projektit “Lëviz për korsitë, pedalo i sigurt”, me mbështetjen e Lëviz Albania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.

Ajo analizon rrugët e qytetit, nevojat dhe mënyrën se si mund të ndërhyet për ndërtimin e infrastrukturës dedikuar biçikletave. Grupimi “Bicycle Durrës” pas dorëzimit të studimit synon nënshkrimin e një marrëveshjeje mirëkuptimi me Bashkinë Durrës, që ajo të zotohet për përfshirjen e korsive dedikuar biçikletave në investimet e reja për infrastrukturën e qytetit.