Ditën e hënë grupimi qytetar “Bicycle Durrës”, në 6 vjetorin e themelimit të tij, u nderua me titullin “Mirënjohja e Qytetit” nga Shoqata “Durrësi Autokton”.
“Bicycle Durrës”, është një grupim qytetarësh, të cilët janë përdorues dhe dashamirës të biçikletës.
Themelimi i tij u bë me datë 20.12.2015, kur u zhvillua edhe aktiviteti i parë në qytet.
Ky grupim është i hapur për të gjithë qytetarët dhe përdoruesit e biçikletës, të cilët duan të krijojnë një komunitet të tyrin.
“Bicycle Durrës” synon t’i japë më shumë rëndësi përdorimit të biçikletës në qytet, në një kohë kur ndotja atmosferike ka arritur shifra të larta dhe urbanizimi me ritme të shpejta, ka shtuar numrin e automjeteve, duke e vështirësuar lëvizjen në rrugët e qytetit.
Ky grupim synon të përcjell tek institucionet vendore kërkesat për respektimin e përdoruesve të biçikletës në qytetin e Durrësit, që përkthehet në kërkesa për sinjalistikë, vend-parkime dhe korsi të dedikuara.
Titulli ju akordua grupimit me motivacionin: “Për kontributin në krijimin e një grupi qytetar me në fokus përdoruesit e biçikletës, për promovimin e lëvizjes me biçikletë si një stil jetese, advokimin për infrastrukturën e biçikletave dhe kontributin në mbrojtjen e mjedisit në Durrës”.
Ai ju dorëzua në emër të grupimit përfaqësuesve të tyre, Ogert Keçi, Marjeta Guzi, Klaudio Hyseni, Edlira Saliu, Geri Emiri dhe Xheni Shtemari.