Grupimi i Berishës është përplasur ashpër me mazhorancën, duke kërkuar praninë e kryeministrit Edi Rama në një mocion me debat ditën e sotme.
Pas Berishës, i cili me një pankartë në krah tha se parlamenti sot mbyllet me faqe të zezë për shkak të Edi Ramës, Vokshi ka kërkuar dorëheqjen e tre ministreve të kabinetit qeveritar: ministres së Arsimit, Evis Kushi dhe ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, për shkak të asaj çka po ndodh me studentët, si dhe dorëheqjen e ministres së Bujqësisë, Frida Krifca për pezullimin e fondeve të IPARD-it për subvensionimin e fermerëve nga Bashkimi Evropian.
“Edi Rama duhet të jetë këtu. Jemi Republikë parlamentare, jo Republikë kryeministrore.
Të paktën tre ministra që janë aty duhet të ishin shkarkuar. Si mund të trajtohen kështu studentët? Unë ju bëj thirrje të tërhiqeni sot në miratimin e projektligjit dhe ne si opozitë jemi ofruar që të japim resurset tona në krijimin e një projektligji në benefit të studentëve dhe mjekëve.
Ministrja e Shëndetësisë nuk duhet të ishte sot aty. Si mund të rrijë ajo aty kur s’ka ardhur në asnjë takim, në asnjë diskutim me studentët.
Krifca nuk duhet të ishte sot aty. Duhet të ishte shkarkuar menjëherë pas skandalit të Bujqësisë me programin IPARD II”- tha Vokshi.
Deputetja ka kërkuar të vijonte fjalën megjithëse i mbaroj koha në dispozicion për të folur. Duke replikuar me kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, ajo i kërkoi të përfundonte fjalën, por nuk iu lejua diçka e tillë me argumentin se nuk po flet për procedurë.
(Vokshi vijon fjalën me mikrofon të fikur)
Nikolla: Mbaroj koha zonja Vokshi.
Vokshi: S’kam mbaruar.
Nikolla: Të mbaroj koha zonja Vokshi, ju nuk po flisni as për procedurë. Po bëni diskutime.