*Drejt portit shqiptar tre transportues: “Kazakh”, “Kapitan Matveev(r)”, “Rossiyanin”

6dhjetor 2015 – Grosistët shqiptarë të grurit rus ndjekin me ankth konfliktin midis Putinit dhe Erdoganit, sidomos pas njoftimeve për bllokimin e kalimit të anijeve ruse në Bosfor. Sikurse kanë bërë të ditur agjencitë e lajmeve, në portin turk të Samsunit u bllokuan 4 anije me flamur rus, tre prej të cilave u liruan më 6 dhjetor 2015. Nga verifikimet e bëra asnjë prej tyre nuk kishte destinacionin portin shqiptar.

Ndërkaq, sipas buletineve ndërkombëtare të transportit detar, në drejtim të Durrësit janë tri anije me grurë të nisura nga porti rus i Taganrog-ut në detin e Zi. Me sa duket, Ankaraja nuk ka ndërmend të dëmtojë interesat e biznesit shqiptar, që importon grurë nga Rusia.

Njëra prej tri anijeve, “Kazakh”, me tonazh mbi 5 mijë e 500 tonë, më 6 dhjetor 2015, kishte arritur të kalonte pa probleme Bosforin dhe në orën 13:30 ndodhej në Mesdhe (shih hartën). Është parashikuar të mbërrijë në portin e Durrësit më 9 dhjetor 2015.

Anija “Kapitan Matveev(r)”, me tonazh 3 200 tonë, në orën 12 të mesditës së 6 dhjetorit 2015, ndodhej rrugës për në Bosfor. Nëse nuk i dalin telashe nga autoritetet turke, ajo parashikohet të mbërrijë në Durrës më 10 dhjetor 2015.

Anija “Rossiyanin”, me tonazh 5 454 tonë,  në orën 13 të datës 6 dhjetor 2015, ndodhej pak milje larg ngushticës së Bosforit dhe parashikohet të mbërrijë në Durrës më 10 dhjetor 2015. Kjo e fundit ka qenë në portin e Durrësit dhe më 13 nëntor 2015.

/portali DurresLajm/