UKRAINE– Legjislatura e shtatë ukrainase filloi me një "serial" përleshjesh. Prej ditësh deputetët përballeshin fizikisht me njëri-tjetrin, derisa ditën e djeshme u ndërpre seanca plenare. Anëtarë të Parlamentit Ukrainas u përfshinë në një betejë masive, në seancën e parë inauguruese të legjislaturës së re. Përballja pengoi votimin për kryeministrin e ri dhe folësin e parlamentit. Ish-kampioni i botës në peshat e rënda, tashmë udhëheqës i një prej partive të opozitës, Vitaly Klitchko, nuk mori pjesë në këtë ring, fatmirësisht për deputetët e tjerë. 

Përleshja që përfshiu një numër të konsiderueshëm të anëtarëve të maxhorancës e të opozitës erdhi si pasojë e "pushtimit" të zonës së rezervuar për drejtuesit e qeverisë, në përpjekje për të ndaluar zgjedhjen e udhëheqësit të parlamentit, Vladimir Ribak. Përleshja nisi pasi anëtarë të opozitës të irrituar, iu vërsulën disa deputetëve brenda radhëve të tyre, të cilët u shprehën kundër qëndrimit zyrtar të partisë së tyre. Sipas drejtuesve të opozitës, "dezertimi" i deputetëve vjen pasi ata janë paguar nga autoritetet për të mbështetur "mazhorancën e korruptuar". 

Zgjedhjet e muajit tetor rikonfirmuan në pushtet partinë e udhëhequr nga presidenti Viktor Yanukovich, por organizatat perëndimore verifikuan shumë parregullsi në votime, ndërkohë që i gjithë Këshilli i Ministrave dha dorëheqjen me tre dhjetor të këtij viti.