29 korrik 2015 – Vetëm pak ditë më parë Meksika fitoi trofeun e Gold Cup, por në vend që të festonte me shampanjë trajneri i saj Migel Herrera u pushua nga puna. Nuk mund të ndodhte ndryshe pasi trajneri i “Tricolor”, goditi me grusht një gazetar.
Vendimi për largimin e mënjëhershëm të tij nga stoli i Meksikës u komunikua nga Presidenti i Federatës Meksikane të Futbollit, Decio de Maria. Të martën, Herrera në aeroportin e Philadelphia-s në SHBA, kishte sulmuar fizikisht Christian Martinoli-n, gazetar sportiv i TV Azteca, duke e kërcënuar dhe më pas e goditi me një grusht në qafë.
Herrera 47-vjeçar largohet kështu nga stoli i Meksikës pas pothuajse dy vitesh në drejtimin e saj. Mbante këtë detyrë që nga tetori i 2013-s dhe kishte fituar Gold Cup për herë të dhjetë në historinë e futbollit meksikan, duke mposhtur 3-1 në finale Xhamajkën. Ish-mbrojtësi që mbante nofkën, El Pioio, si futbollist ka veshur 15 herë fanellën e kombëtares së tij, dhe si teknik kishte një karrierë të gjatë në Meksikë, ku kishte drejtuar të gjitha klubet e mëdha. I fundit ishte America e Meksikos, nga i cili u largua për të marë drejtimin e kombëtares.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/