Një tjetër rast i dhunës ndaj bluzave të bardha është regjistuar në Dibër. Një mjek i spitalit rajonal u godit me grushta nga dy vëllezër, një prej të cilëve është arrestuar, ndërsa tjetri është shpallur në kërkim.
"U arrestua në flagrancë A.L, 43 vjeç, dhe u shpall në kërkim vëllai i tij shtetasi V.L, banues në Dibër, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin në ambjentet e Spitalit Rajonal Dibër, kanë goditur me grushta mjekun shtetasin A.M",- njofton policia.
Policia thotë se dy vëllezërit akuzohen për "Goditje për shkak të detyrës", kryer në bashkëpunim, ndërsa po punohet për të zbardhur rrethanat e këtij akti.
Prej fillimit të vitit në të gjithë vendin janë shënuar disa raste të dhunës ndaj mjekëve, çka i ka ngritur disa herë bluzat e bardha në protestë, ndërsa Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar forcim të masave ligjore.





