Stadiumi “Niko Dovana” nuk është shquar kurrë për sherre, por ajo që ndodhi në fushën e lojës i habiti të gjithë. Në minutën e 62-të takimi u ndërpre dhe përplasja mes lojtarëve bëri që gjithçka të degradohej në një sherr masiv mes tyre.

Fillimisht pati një zënkë mes Fabjan Beqjajt të Teutës dhe brazilianit Uilliam Melo të Partizanit. Kjo erdhi për mosnxjerrjen e topit jashtë vijave nga të kuqtë për t’i ardhur në ndihmë sulmuesit Nikaç, i cili ishte i shtrirë në fushë.

Mirëpo, pasi dy lojtarët u kacafytën, kjo provokoi një sherr masiv, ku u përfshinë edhe pankinat respektive. Kartonët e kuq ishin të menjëhershëm për Melon e Beqjan në fushë, por gjithashtu edhe për Deian Boldor dhe Amer Dukën, të cilët erdhën nga pankinat respektive dhe u përleshën me njëri-tjetrin.

Prekjet me dorë apo shkelmat ishin të dukshme nga shumë lojtarë të të dyja skuadrave, por arbitri dalloi vetëm katër prej tyre. Për të qetësuar skuadrat, u futën në fushë edhe stafet respektive, duke bërë  të mundur ndarjen e tyre. Acarimi i lojtarëve vazhdoi edhe në fundin e ndeshjes, por këtë herë ishin të kuqtë, të cilët e nxorën dufin tek arbitrimi.

Lorenc Trashi u bë protagonist në debatin me gjyqtarin kryesor, Olsid Ferataj, duke i kërkuar llogari këtij të fundit për vendimet që kishte marrë. Arbitri i tregoi kartonin e verdhë lojtarit të kuq, që edhe pse u ndëshkua, vazhdonte të protestonte te kryesori deri në afërsi të tunelit.

Mesfushori i Teutës, Fabian Beqja, ka qenë protagonist absolut në të mirë dhe në të keq. Fitoi penallti, bëri sherr dhe gjithashtu u bë protagonist në një rast të dyshimtë brenda zonës, ku i ndërhyri Çinarit dhe rrezikoi të shkaktonte 11-metërsh. Lojtari durrsak tregoi për momentin e tensionit në fushë me brazilianin e Partizanit, Melo.

“Ishte një moment shumë i keq. Fillimisht unë nuk veprova dhe nuk i thashë asgjë me gojë. Mirëpo, Melo erdhi dhe më ofendoi, e më pas më shtyu me duar. Unë ruajta qetësinë për momentin, por ai përsëri nisi të më ofendojë. Mendova se do të kishte një ndëshkim për atë dhe jo për mua. Veprimi i tij ishte diçka shumë e poshtër, nuk di si ta përshkruaj tani”, ka thënë fillimisht Beqja, për të folur më pas edhe për atë që dhanë në fushë skuadrat, ku Teuta doli me tri pikë.