Fakt tronditës / Në vitet 2005-2011 nga marrja e inerteve në lum, Adriatiku gërryen një sipërfaqe 123.5 ha, nga e cila 67.3 ha në veri, deri në kufirin verior të plazhit të Rushkullit dhe 56.2 ha në jug deri në kufi me plazhin Rinia

DURRËS, 9 nëntor 2013 – Kur ndërtuesit i grabisin Erzenit inertet, deti sulmon dhe “ha” tokë, kështu është gërryer në vitet 2005-2011 një sipërfaqe prej 123.5 ha nga e cila 67.3 ha në veri, deri në kufirin verior të plazhit të Rushkullit dhe 56.2 ha në jug deri në kufi me plazhin Rinia. Ekspertë të Ministrisë së Mjedisit, në një raport të botuar në vitin 2012, thonë se për studimin e dinamikës së grykëderdhjes së lumit Erzen mbi bazën e matjeve gjeodezike, digjitalizimin e të dhënave të hartave dhe studimeve të mëparshme janë hartuar dokumentacionet grafike dhe analitike mbi bazën e të cilave dalin dhe konkluzionet përkatëse. Nga studimi i këtyre materialeve grafike dhe tabelore rezultojnë një serë konkluzionesh të rëndësishme për dinamikën e grykëderdhjes së lumit Erzen për periudhën 1978-2011.

Grykëderdhja e lumit Erzen ka një dinamikë intensive eroduese në vite duke u tërhequr vazhdimisht drejt tokës. Për periudhën 1978-2011 është tërhequr drejt tokës me 1280 m ose mesatarisht 38.8 ml në vit. Ky fenomen është rrjedhojë e pakësimit të buxhetit të prurjeve të ngurta të lumit Erzen si rezultat i shfrytëzimit pa kriter të inerteve lumore në shtratin e tij sidomos gjatë viteve 2005-2011. Në gjatësinë e vijës bregore 1.6 km në jug të grykëderdhjes dhe 2.8 km në veri vihet re fenomeni i erozionit intensiv, si rezultat i të cilit është eroduar një sipërfaqe prej 123.5 ha nga e cila 67.3 ha në veri, deri në kufirin verior të plazhit të Rushkullit dhe 56.2 ha në jug deri në kufi me plazhin Rinia. Në jug pas zonës erozive në një gjatësi rreth 2.6 km kemi një zonë akumulative me një sipërfaqe prej 129.6 ha në të cilin krijohet një brez litorali i ri që së bashku me impaktin e ndërtimeve në plazhin Rinia e kthen edhe lagunën e vogël kënetore në sipërfaqe akumuluese. Nga studimi i profilit gjatësor A1-A1 gjatësi aksit të rrjedhjes së lumit deri në thellësinë e detit prej 5 m duket qartë erodimi i grykëderdhjes për rreth 1120 m dhe erodimi i shtratit të detit në një gjatësi rreth 1.9 km me një thellësi nga 0.5 deri 5 metra. Nga studimi i profilit gjatësor A-A deri në thellësinë e detit prej 5 m duket qartë erozioni i krahut verior të grykëderdhjes për 356 m dhe erodimi i shtratit të detit në një gjatësi prej 1.7 km me një thellësi deri 4 metra.

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/