Në 30 Maj të vitit 2016, Inspektoriati Urbanistik i bashkisë dhe policia Bashkiake, të drejtuar asokohe nga ish-kryebashkiaku Vangjush Dako, ju vunë rruspën tendave dhe ndërtimeve që kishin zaptuar lulishten në hyrje të Durrësit.

U tha aso kohe se do të prisheshin 20 lokale që ishin ndërtuar pa leje. Tendat e ndërtimet prej druri apo metalike u hoqën duke i dhënë frymëmarrje të vetmes lulishte, që ju ka mbetur për të luajtur fëmijëve të Durrësit, por edhe moshave të tjera që duan të dalin për të marrë ajër. Por muaj pas muaji jo vetëm që lokalet u zgjeruan, por arritën deri aty sa të gjthë sipërfaqjen që kanë para lokaleve të tyre, (dikur apartamente banimi, të transformuar në biznese), ta zënë me karrige e tavolina.

Grykësia në rastin konkret ra mbi të vetmen hapësirë publike që i kishte mbetur Durrësit. Madje hapësirat në lulishte i ndërtuan me skelete druri e hekuri, i ngritën mbi një metër nga toka, ndërsa asnjë prej këtyre lokaleve nuk ka certifikatë pronësie mbi truallin që i zaptuan lulishtes. Është shembulli tipik kur pronarët nxituan të zaptojnë sa më shumë, e të ndërtojnë, ndërsa poshtë ndërtimeve të tyre mbi lulishte minjtë dhe insektet hedhin valle.

Kjo sepse duke transformuar lulishten në kolibe – kolibe, jo vetëm që nuk mirëmbahet më nga Ndërrmarrja e Pastrim-Gjelbërimit, por edhe pronarët e lokaleve, të cilëve klientët iu larguan nuk i mirëmbajnë më ndërtimet provizore.

Madje këtë verë edhe një pemë ulliri e mbjellë në lulishte u kthye në “këmbë mbajtëse” të strukturës së një lokali. Është e çuditshme si para syve të gjithë qytetarëve të Durrësit, sipërfaqja publike u tkurr e tkurr, ndërsa shteti dhe strukturat përgjegjëse janë inekzistente, a thua se i gjithë qyteti ju detyrohet shumë e më shumë pak individëve për të zaptuar gjithçka. E kjo ndodh në një kohë kur në qytet mungojnë tërësisht hapësirat e gjelbra, mungojnë hapësirat publike.

Qyteti i Durrësit është transformuar tërësisht e nuk ka mbetur më asnjë park për të vegjlit, për të moshuarit, për ata që duan të marrin ajër jashtë lokaleve. Është një bashkëpunim i heshtur mes shtetit dhe privatit, që “ushqejnë” njëri –tjetrin në këtë formë. Edhe një aksion i paralajmëruar në këtë zonë nga IMT Durrës në këtë zonë në fund të shtatorit për lirimin e hapësirave publike “humbi” rrugën.

Ushqehen në kurriz të fëmijëve të vegjël, pasi në këto 30 vjet është ngritur e zhvilluar një industri e tërë ndërtimesh, në kurriz të sipërfaqeve të gjelbërta, të parqeve. Të vegjlit nuk kanë zë të kërkojnë, prindërit e tyre po ikin nga ky qytet e nga ky vend për një jetë më të mirë, po emigrojnë kudo në Europë, Ata që jetojnë në këtë qytet, përballen me mjerimin shpirtëror, infrastrukturor dhe shtetëror.

K.H.