22 shtator 2015 – Ushtarakët e Guardia di Finanza-s në Durrës përveç bashkëpunimit me forcat e policisë shqiptare të kufirit në luftë ndaj trafiqeve të paligjshme, kohët e fundit kanë ndërmarrë një nismë të veçantë. Ata kanë mbështetur botimin e një libri dhe po zhvillojnë biseda me të rinjtë e shkollave të mesme në qytete të ndryshme të vendit, me synim informimin për rrezikun që paraqet droga për shëndetin e njeriut.
Komandanti i Njësisë kufitare detare të Rojës Financiare, kolonel Francesco Saverio Guarini, i cili ka shkruar edhe hyrjen e librit, tha se bashkë me detyrën për të luftuar kundër trafiqeve, bëhet mjaft e nevojshme që të informohen për rrezikun e drogës edhe punonjësit e policisë së kufirit. Ne jemi qytetarë dhe prindër dhe duhet të punojmë edhe me fëmijët tanë, e po ashtu edhe me shkollarët, që rrezikohen potencialisht nga përdorimi i drogave-tha kol. Guarini.
Libri “Adoleshentët dhe droga. E rrezikshme të injorohet” është shkruar nga prof. Matteo Pacini, mjek psikiatër, dhe është botuar në gjuhën shqipe dhe atë italiane.
/portali DurresLajm/