Manchester City nis sot në mbrëmje udhëtimin në fazën me eliminim direkt të Champions League. Në prag të ndeshjes së parë të 1/16-tave kundër Copenaghen, Pep Guardiola, u shpreh se progresi i “Qytetarëve” është i jashtëzakonshëm.

“Kur mbërrita tetë vjet më parë, pata ndjenjën se ‘ndoshta ky kompeticion ishte shumë për ne’. Tani i gjithë klubi beson se ne mund ta bëjmë këtë, kjo është trashëgimia më e mirë që i lëmë klubit. Jemi të lumtur që jemi këtu, ndeshja e parë e 1/16-tave është gjithmonë e vështirë sepse ndoshta mund të mos e kesh ritmin. Copenaghen nuk ka luajtur një ndeshje zyrtare që nga 12 dhjetori dhe kjo do të thotë se janë të uritur për të konkurruar, se janë të freskët në këmbë dhe në kokë. Ata kanë pasur shumë ditë për ta përgatitur sfidën, shpresojmë të jemi në një nivel të mirë. Ne kemi nevojë për një rezultat të mirë për ta mbyllur kualifikimin në Manchester”, u shpreh Guardiola.

Trajneri spanjoll gjithashtu komentoi për kthimin e Haaland te golat.

“Ne kurrë nuk duhet të bëjmë presion mbi Erling si ‘ju duhet të shënoni për ne’. Messi dhe Cristiano Ronaldo nuk i kishin këto shifra në moshën e tij. Ai është përshtatur shumë mirë, unë kam një grup të jashtëzakonshëm lojtarësh që dinë të mirëpresin lojtarë të rinj dhe Erling gjithashtu ka mundur ta shohë këtë”.