Gjermani, 7 gusht 2014 – Yjet shkëlqyen në Portland, por nuk ishin djemtë e Pep Guardiolës sepse triumfi dhe festa ishte e tëra për yjet e futbollit amerikan, të mbledhur në një ekip të vetëm kundër kampionëve të Gjermanisë. Me gola të Wright-Phillips dhe Landon Donovan, më të mirët e MLS zhvlerësuan golin e vetëm të Bayernit që u shënua falë një super Lewandowski, për ta mbyllur në fund takimin me rezultatin 2-1. Normalisht presupozohej të ishte një ndeshje miqësore, por fundi nuk rezultoi aspak i tillë. Ndonëse me famën e një xhentëlmeni, Guardiola refuzoi t’i jepte dorën kolegut të skuadrës së All Star, Caleb Porter dhe ky reagim nuk kishte aspak lidhje me rezultatin, por me masakrimin sipas tij të lojtarëve të Bayernit nga amerikanët, sidomos në pjesën e dytë.

Porter zgjati dorën siç e do zakoni në përfundim të takimit me Guardiolën që e refuzoi i pari dhe pas tij të njëjtën gjë bënë edhe anëtarët e tjerë të stafit, duke ia lënë dorën në ajër teknikut 39-vjeçar që drejton Portland Timbers. Irritimi për trajnerin e Bayernit nisi me ndërhyrjen e Osvaldo Alonsos ndaj Xherdan Shaqirit, ndërsa kulmoi me rrëshqitjen e Will Johnson në këmbët e Bastian Schëeinsteiger. Në fund të sfidës, sulmuesi i Los Angeles Galaxy, Landon Donovan u përpoq ta minimizonte situatën, duke thënë se ndërhyrjet janë normale në lojë dhe asnjë prej tyre nuk ishte e rrezikshme për të patur reagime të tilla si ato të Guardiolës.

Me shumë qetësi foli edhe trajneri Porter, i cili uroi që ndërhyrja ndaj Schweinit të mos kthehet në kryefjalën e këtij takimi yjesh. Gjithsesi Porter duhet të qëndrojë i qetë sepse kryefjala e vetme nga kjo sfidë nuk ishin golat apo ndërhyrjet në fushë, por gjesti i Guardiolës që u komentua gjerësisht edhe në Tëitter. Disa orë më vonë trajneri spanjoll theu heshtjen, duke u justifikuar se nuk e kishte parë kolegun amerikan, por vështirë të besohet pasi Porter e ndoqi për minuta të tëra vetëm e vetëm për t’i shtrënguar dorën.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/