Trajneri i Mançester Sitit, Pep Guardiola, ka rënë dakord për firmosjen e kontratës së re njëvjeçare me opsionin e një viti tjetër me kampionët e Premier Ligës. Marrëveshja ekzistuese e 53- vjeçarit me Sitin do të skadojë në fund të këtij sezoni dhe nëse ai vendosë të qëndrojë deri në fund të kontratës së re, Guardiola do të shënonte më shumë se një dekadë në krye të klubit. Një njoftim zyrtar që konfirmon kontratën e re pritet në ditët në vijim. Ishte përfolur që Guardiola mund të largohej nga Siti në fund të sezonit së bashku me drejtorin sportiv, Txiki Begiristain, largimi i të cilit dhe ardhja e Hugo Vianës nga Sportingu i Lisbonës si zëvendësues i tij, u konfirmua në tetor.
Katalanasi u ul në stolin e “Etihad” në vitin 2016, pas periudhave në krye të Barcelonës dhe Bajernit të Mynihut. Ai ka fituar 18 trofe gjatë karrierës së tij me klubin e Mançesterit, duke përfshirë gjashtë tituj të Premier Ligës dhe triumfin e parë të klubit në Ligën e Kampioneve në vitin 2023. Ai kaloi katër vjet në krye të Barcelonës dhe tre sezone në Mynih, me këtë, sezonin e tij të nëntë në krye të Sitit.Skuadra, aktualisht renditet e dyta në tabelën e Premier Ligës, me 23 pikë nga 11 ndeshjet e tyre të para – pesë pikë prapa liderit të ligës, Liverpulit – por ka humbur katër ndeshje radhazi në të gjitha kompeticionet, seria më e dobët e humbjeve në kohën e Guardiolës në klub dhe trajnerit në karrierë.
“Është një sfidë e vështirë, por unë jam këtu”, tha Guardiola pas humbjes 4-1 ndaj Sportingut në Ligën e Kampioneve.“Do të jetë një sezon i vështirë – këtë e dinim që në fillim. Por është ajo që është. Më pëlqen sfida dhe dua ta provoj”. Guardiola u pyet gjithashtu në atë konferencë për shtyp pas ndeshjes për lidhjet me kombëtaren e Brazilit, për të cilën ai u përgjigj me shaka: “Pas humbjes 4-1, unë nuk jam më një opsion”, përpara se të shtonte se “më shumë se kurrë, Unë dua ta ngre ekipin dhe ta kthej në nivelin e tyre të lartë.” Siti kthehet në aksion në shtëpi ndaj Totenhemit të shtunën.