Pas tre barazimesh radhazi në “Etihad Stadium”, Manchester City u rikthye te fitorja duke mundur me shifrat 2-0 Sheffield United.
Rodri zhbllokoi ndeshjen në minutën e 15, ndërsa Julian Alvarez, shënoi golin e sigurisë në minutën e 61 pas asisit të Foden.
Pas këtij suksesi “Qytetarët” u ngjitën në kuotën e 40 pikëve në vend të tretë, 2 pikë larg Liverpool-it kyresues.
Trajneri Pep Guardiola u shfaq i lumtur për fitoren ndërsa tha se ka qenë periudhë e vështirë për ta.
“Këto ndeshje kërkojnë durim pasi bëhet fjalë për kundërshtarë që mbrohen mirë dhe në thellësi. Duhej të ishim të qetë në fushë, Sheffield nuk ushtroi presion dhe kështu ne duhej të gjenim momentin e duhur për të gjetur hapësirat. Por arritëm të marrim maksimumin, pasi kjo ka qenë një periudhë shumë e ngarkuar për ne”, tha Pep
Sa i përket luftës për titullin kampion në Premier League, Guardiola u shpreh:
“Gara është e fortë, ne nuk jemi ende në krye dhe Liverpool është një skuadër më e mirë për momentin. Kemi pasur dëmtime dhe probleme, por jemi në lojë dhe kemi fituar shumë tituj në këtë vit. Tani është koha për pak pushim, e kemi të nevojshëm. Janari është një muaj më pak intensiv se nëntori apo dhjetori, ndaj do të përgatitemi mirë për pjesën e mbetur të sezonit”.





