Gjermani, 24 prill 2014 – Trajneri i Bayern Munich, Pep Guardiola pavarësisht humbjes e cilësoi pozitive paraqitjen e skuadrës së tij në sfidën e parë gjysëmfinale të Champions League me Realin. Teksa përgëzoi kundërshtarin numri 1 i stolit bavarez theksoi se shpreson që ekipi i tij të zhvillojë një ndeshje shumë më të mirë në kthim.

“Dua të përgëzoj Realin e Madridit, fituan në takimin e parë dhe neve tashmë nuk na mbetet gjë tjetër veçse të mendojmë për sfidën e kthimit që do të luhet në Munich. Reali ka lojtarë shumë të shpejtë dhe është skuadra më e mirë në botë në kundërsulm. Dëshironim të kontrollonim lojën me mbajtjen e topit, por na mungoi vetëm goli. Megjithatë kemi përpara edhe një ndeshje tjetër dhe do të provojmë gjithçka”, – tha Guardiola.

Guardiola më pas tregoi se çfarë u tha futbollistëve të tij para sfidës me Los Blancos.

“U thashë futbollistëve të mi se dëshiroja që ata të tregoheshin të mëdhenj në fushë. Por gjithashtu e di shumë mirë se sa e vështirë është të luash përballë Realit të Madridit. Biseda me Robben? Unë flas për shumë gjëra dhe nuk më kujtohet se çfarë I thashë Robbenit”.

Por çfarë plani ka Pep për përballjen e kthimit që do të luhet në Munich të martën e ardhshme?

“Më duhet të shoh me vëmendje ndeshjen e parë por edhe takimin që do të luajë Reali në La Liga gjatë fundjavës. E rëndësishme është që në kthim do të jemi përballë publikut tonë dhe dëshirojmë që të shkojmë në Lisbonë”,- tha trajneri i Bajernit.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/