GJERMANI – Pep Guardiola rikthimin e tij do ta bëjë në kampionatin gjerman. Ish-trajneri i Barcelonës do të udhëheqë bavarezët, duke nisur nga fundi i këtij sezoni, për tre vitet e ardhshme. 

Lajmi është bërë i ditur në faqen zyrtare të Bajernit të Mynihut. Skuadra bavareze saktëson se pas refuzimit të trajnerit aktual, Jupp Heynckes për të zgjatur kontratën në krye të klubit është vendosur që emri pasues i tij të jetë Guardiola. 

“Duke mirëkuptuar dhe respektuar vendimin e tij, Bajerni i Mynihut është i lumtur t’iu njoftojë se si pasardhës i Heynckes është zgjedhur një trajner i profilit të lartë dhe i suksesshëm në botën e futbollit; 41-vjeçari, Pep Guardiola”,- thuhet në deklaratën e shpërndarë në faqen zyrtare të skuadrës gjermane. 

“Pep Guardiola është njëri prej trajnerëve më të suksesshëm në botë dhe ne jemi të sigurtë se ardhja e tij do të rrisë jo vetëm futbollin e Bajernit, por të gjithë futbollin gjerman”, deklaroi kreu ekzekutiv i Bajernit, Karl-Heinz Rummenigge. 

Pep dhe Bajern kanë rënë dakort për një kontratë 3-vjeçare, deri në vitin 2016. Pagesa dhe detaje të tjera të kësaj marrëveshje mbeten për t’u mësuar në ditët e ardhshme.