Të paktën 33 persona kanë vdekur dhe 46 të tjerë u plagosën dje në mbrëmje pas shpërthimit të një vullkani shumë aktiv në Guatemala, sipas një bilanci të ri të njoftuar sot nga mbrojtja civile.

Shpërthimi i këtij vullkani, me një lartësi prej 3 763 metrash dhe që ndodhet 35 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit të Guatemalës, shkaktoi gjithashtu evakuimin e më shumë se 4 500 personave, njoftuan autoritetet, ku një bilanc i mëparshëm fliste për 25 të vdekur dhe 46 të plagosur.

Aeroporti ndërkombëtar “Ciudad de Guatemala” u mbyll përkohësisht për shkak të sasive të mëdha të hirit vullkanit.

”Personeli i aeroportit dhe i ushtrisë u angazhua për pastrimin e pistave për të mundësuar vijimin e fluturimeve”, njoftoi Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil.

Shpërthimi përfshiu kryesisht komunat rurale në afërsi të vullkanit dhe ish-qytetit kolonial të Antiguas, zona më e rëndësishme turistike e Guatemalas.