2 qershor 2015 – Trajneri i ri i Teutës do të jetë Gugash Magani. Lajmi konfirmohet nga presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu dhe vetë tekniku peqinas, i cili u shpreh i kënaqur për rikthimin në Durrës pas aventurës në kryeqytet.

Prej javësh flitej për një rikthim të Maganit në krye të pankinës durrsake, por tashmë lajmi është zyrtarizuar mes presidencës së Teutës dhe teknikut Peqinas, i cili pati sukses me "djemtë e detit" teksa i drejtoi për disa muaj. Lajmi i rikthimit të peqinasit në krye të pankonës durrsake u prit shumë mirë dhe me entuziazëm të madh edhe nga tifozeria e Teutës, të cilët ruajnë kujtime të bukura për kohën kur skuadra drejtohej nga tekniku karizamtik Gugash Magani. Ky i fundit teksa pranoi se ka marë drejtimin e skuadrës u shpreh shumë i kënaqur për rikthimin në Durrës, ndërsa premtoi se do të bëjë të pamundurën që skuadra të rikthehet ndër skuadrat pretendente të futbollit shqiptar.

"Duke nisur nga sot do të jem traineri i skuadrës së Teutës. Së bashku me presidentin Hasanbelliu vendosëm që të marë drejtimin e skuadrës, me qëllim që të ndërtojmë një skuadër të mirë dhe pretendente për sezonin e ardhshëm. Në Durrës ndihem si në shtëpi dhe premtoj se do të punojmë me shumë përkushtim, me qëllim që ta rikthejmë Teutën cilësore", u shpreh shkurtimisht Magani. 

Presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, deklaroi se skuadra i është besuar teknikut Gugash Magani për sezonin e ardhshëm. Pritet që tashmë që u emërua trajneri i ri dhe u zgjidh problemi i pankinës, drejtuesit durrsakë do të nisin afrimet dhe rishikimin e kontratave me lojtarët që u kanë skaduar. "Vendosëm që skuadrën për sezonin e ardhëm t'ia besojmë Gugash Maganit, i cili e njeh mirë këtë ekip dhe nuk do ta ketë shumë të vështirë për ta rikthyer aty ku duhet. Sapo kemi mbyllur marrëveshjen dhe Magani do të jetë trajneri i ri i skuadrës së Teutës", u shpreh shkurtimisht numri një i Teutës, presidenti Hasanbelliu. Magani e njeh mirë mentalitetin e skuadrës së Teutës dhe me një pjesë të mirë të lojtarëve ka bashkëpunuar edhe më parë, kështu që nuk do të jetë shumë e vështirë duke marrë parasysh edhe afrimet që do të kryehen gjatë merkatos verore për të ndërtuar një skuadër pretendente për sezonin e ardhshëm. 

/agjnecia e lajmeve "Dyrrah"/