Guus Hiddink ka të ngjarë të rikthehet në stolin e Chelsea si trajner i përkohshëm, pas largimit të Jose Mourinho. Ish-trajneri i Holandës mori drejtimin e bluve edhe në të njëjtën periudhë të sezonit në vitin 2009, pas shkarkimit të Luis Felipe Scolari.

Hiddink, i cili ka nisur bisedimet e Chelsea prej disa javës, mund të marrë drejtimin e ekipit para ndeshjes të së shtunës ndaj Sunderland. Mourinho u shkarkua nga Chelsea të martën pasdite, pasi e ka nisur sezonin në mënyrë shkatërrimtare dhe kampionët e Anglisë kanë vetëm një pikë më shumë se tre ekipet që do të bien nga kategoria.

Do të largohen nga “Stamford Bridge” edhe ndihmësit e Mourinhos, Silvino Louro dhe Rui Faria ndërsa zv.trajneri Steve Holland ka të ngjarë të vazhdojë punën me “blutë”.

Hiddink pritet të drejtojë Chelsea në pjesën e mbetur të sezonit, me synimin për të shmangur zonën e ftohtë të renditjes derisa klubi të vendosë përfundimisht se cili do të jetë trajneri për sezonin e ardhshëm.

I preferuar i presidentit Roman Abramovic është Diego Simeone, por duhen paguar 15 milionë euro te Atletico Madrid për të marrë trajnerin argjentinas. Hiddink fitoi Kupën e Anglisë me Chelsea në sezonin që zëvendësoi Scolari dhe e mbylli kampionatin anglez në vendin e tretë. Ai fitoi 87% të ndeshjeve, ndërsa në Champions League u eliminua nga Barcelona në gjysmëfinale. Hiddink aktualisht është pa punë pasi u largua nga drejtimi i kombëtares holandeze në verën e kaluar.