Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko, ka dhënë disa lajme të mira për të gjithë qytetarët e Shqipërisë, por edhe një mesazh, se nëse ekonomia vijon me të tilla ritme, mund të ketë rritje të mëtejshme të pagave.
Gjatë raportimit të tij për analizën e tremujorit të parë të këtij viti, Sejko u shpreh se rritja ekonomike vijon trajektoren në ngritje dhe se objektivi i inflacionit mund të arrihet brenda vitit 2018. Sejko është shprehur se ekonomia vijon me ritme rritjeje falë shtimit të investimeve të huaja direkte, stimujve të politikës fiskale dhe besimit në ekonomi.
“Nisur nga ecuria për inflacionin mesatar për 2017 ka pësuar një rishikim të lehtë për poshtë. Ekonomia duket se po i afrohet nivelit potencial, nisur edhe në rënien e normës së papunësisë. Ky përmirësim do mundësojë rritje të pagave…efekti negativ i kursit të këmbimit pritet të shuhet gradualisht. Ekonomia vazhdon të lëvizë në një trajektore rritëse. Inflacioni mesatar i tre mujorit të dytë ka shënuar rënie. Rritja e aktivitetit ekonomik ka qenë më e lartë se pritshmëritë tona. Konsumi dhe investimet private janë rritur si rrjedhojë e përmirësimit të besimit në ekonomi, rritjes së investimeve të huaja direkte. Politika fiskale ka prodhuar stimuj pozititiv”, tha Sejko.