Guvernatori Gent Sejko ka prezantuar në Kuvend raportin e Bankës së Shqipërisë për vitin 2020 ku vendi u përfshi nga kriza e pandemisë.

Sejko thotë se masat e Bankës rezultuan të suksesshme dhe se objektivi ishte lehtësimi i impaktit të krizës në ekonomi, evitimi i pasojave negative dhe ruajtja e stabilitetit monetar.

“Ndikimi i krizës në ekonomi rezultoi më i vogël së pritjet tona fillestare, duke ilustruar si rezistencën dhe fleksibilitetin e sektorit privat, ashtu dhe ndikimin pozitiv të përgjigjes së politikave publike; po ashtu, ndikimi i goditjes mbi faktorët afatgjatë të rritjes duket i përmbajtur. Me gjithë problemet e natyrshme, ne kemi shmangur falimentimet në masë të bizneseve dhe rritjen e fortë të papunësisë; së fundi, pavarësisht testit të fortë të cilit iu nënshtruam, ekuilibrat ekonomikë dhe financiarë të vendit mbetën solidë”, tha Sejko.

Guvernatori i BSH, u shpreh se ekonomia shqiptare i gëzon premisat për një rimëkëmbje të shpejtë në të ardhmen.

Guvernatori theksoi se rritja e pasigurisë dhe masat e nevojshme të distancimit social, të marra për kufizimin e përhapjes së pandemisë COVID-19, e çuan ekonominë shqiptare në recesion, sollën rritje të papunësisë dhe krijuan vështirësi financiare për shumë biznese e familje gjatë vitit 2020.

“Treguesit e balancave ekonomike u përkeqësuan. Vëllimi i aktivitetit ekonomik u tkurr me 3.3%, ekonomia shqiptare humbi rreth 43,000 vende pune dhe shkalla e papunësisë u rrit në 11.8%. Rënia e të ardhurave solli rritjen e borxhit privat e publik. Në pasqyrim të ngadalësimit të aktivitetit ekonomik, në vend dhe në botë, inflacioni mesatar për vitin 2020 rezultoi 1.6%, duke vijuar të mbetet poshtë objektivit tonë”, theksoi Sejko.