15 korrik 2015 – I zhytur në varfëri ekstreme, në pamundësi për të siguruar bukën e gojës për dy fëmijët e mitur, A.H., duket se nuk ka pasur zgjidhje tjetër veçse t’i hyjë rrugës së vjedhjes.
Pak ditë më parë, 32-vjeçari ka hyrë në një market në zonën e Kombinatit dhe së pari, fshehtazi ka filluar të hajë, shkruan ‘Gazeta Shqiptare’.
Më pas, ai ka marrë ushqime për fëmijët dhe ka tentuar të largohet nga marketi. Njëra nga punonjëset e ka pikasur klientin vjedhës dhe i ka kërkuar të afrohet te kasa, por ai ka refuzuar.
“Më lër të iki, nga halli po e bëj. Nuk kam lekë të paguaj”, i ka thënë ai punonjëses. “Nuk të fal dot. Dy herë të tjera të kemi lënë të largohesh”, ka qenë përgjigjja e prerë e gruas, e cila ka njoftuar menaxherin.
Policia, e njoftuar nga menaxheri i marketit, ka mbërritur brenda pak minutash, duke i vënë prangat babait të dy fëmijëve.
A.H ka pranuar kokëulur para gjykatës vjedhjen e ushqimeve dhe me kërkesë të Prokurorisë i është dhënë masa “detyrim paraqitjeje”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/