Kryeprokurorja e Përkohshme Arta Marku ka zhvilluar një takim paraditen e sotme me ambasadorin italian në vendin tonë, Alberto Cutillo.

Takimi është zhvilluar në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme, ndërsa bëhet e ditur se ambasadori ka kërkuar goditjen e grupeve kriminale që operojnë mes Italisë dhe Shqipërisë.

“Hetim të përbashkët të dosjeve të shtetit italian dhe shqiptar, si dhe mbështetja e Italisë për zbatimin e Reformës në Drejtësi. Mbështetja e Prokurorisë në goditjen e grupeve kriminale qe operojnë mes Italisë e Shqipërisë”, mësohet të jetë shprehur Cutillo.

Pjesë e këtyre dosjeve është edhe ajo e trafikantëve të drogës, Habilajt. Ndërkohë Marku, vetëm një ditë pasi u vu në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, pati takim me ambasadorin amerikan Donald Lu, i cili e inkurajoi për hetime ndaj personave të rëndësishëm, të cilët janë përfshirë në veprimtari korruptive.