Partia Demokratike i është rikthyer sërish akuzave për trafik droge të bandës së Habilajve.

Në një dalje për mediat, deputeti i PD, Enkeljed Alibeaj thotë se trafiku i drogës funksiononte edhe me mbëshrtetjen e ish-drejtori i policisë së Vlorës Jaeld Çela.

Deputeti demokrat tha se PD zotëron një dokument prej 18 faqesh ku tregohen bisedat dhe mesazhet mes Habilajve dhe drejtuesve të policisë Vlorë.

“Dokumenti me 18 faqe është bazuar në të dhënat e Antimafias Italiane, e cila ka përgjime bisedash mes Habilajve dhe drejtuesve të lartë të Policisë së Vlorës që provojnë se ishin garant të drogës. Policia e Shtetit jo vetëm ishte kthyer në rrjet të transportit të kanabisit, por Jaeld Çela ka dekonspiruar informacione të SHISH për llogari të Habilajve”, u shpreh Alibeaj.

Sipas deputetit demokrat, Jaeld Çela ka biseduar vazhdimisht me Artan Habilajn, personi që përdorte Audin e ish-ministrit Saimir Tahiri, si dhe me Orest Sotën dhe Gentian Cekën, shoferin e Tahirit.

Të gjitha këto komunikime të ish-drejtorit të Policisë së Vlorës ndodhen në tabulatet e tij telefonike, theksoi Enkelejd Alibeaj, i cili shtoi se këto lidhje jo rastësore tregojnë që “Saimir Tahiri ka qenë garancia politike për transportin e kanabisit”.