Jamie Carragher nuk e mendon shumë të fortë kombëtaren italiane, rivalja e parë e Shqipërisë në Euro 2024.

Kompeticion të cilin kuqezinjtë e Sylvinhos e nisin të shtunën e 15 qershorit përballë kampionëve në fuqi në “Signal Iduna Park”.

Ish-mbrojtësi i Liverpoolit dhe “Tre Luanëve”, për britaniken Telegraph thekson se të kaltrit nuk do e kalojnë grupin.

“Grupi më i bukur dhe ekuilibruar është ai i Spanjës, Kroacisë dhe Italisë. Gjithçka do të vendoset në ndeshjet e fundit. Gjithsesi, unë mendoj se në fund do të kualifikohen Spanja si vend i parë dhe Kroacia si e dytë. Kroatët kanë në ekip një nga futbollistët më të mirë në histori: Luka Modric. Italia do të renditet e treta dhe Shqipëria e fundit. Kam idenë që italianët nuk do të arrijnë të kualifikohen as si vend i tretë, ata do të mbeten në grup. Skuadra e Luciano Spallettit do të grumbullojë pak pikë, sepse ësht pjesë e një grupi shumë të vështirë”, tha Carragher, i cili më pas u ndal te Anglia: “Deri në gjysmëfinale do të shkojmë, por aty do të marrë fund rrugëtimi ynë. Do të jetë Franca që do të na nxjerrë jashtë”.