Mark Zuckerberg ka postuar një foto në Instagramin e tij, ku shihet me të dy sytë të nxirë pas një stërvitje jiu jitsu, një sport vetëmbrojtjeje, art marcial dhe luftarak i bazuar në përleshje dhe luftime në tokë.

“Stërvitja doli pak nga kontrolli,” ishte mbishkrimi i tij në foto. Zuckerberg tha në një intervistë në gusht 2022, se filloi të merrej me arte marciale gjatë pandemisë së Covidit, duke shtuar se ky sport e ndihmonte të largonte energjitë negative.

“Është gjëja më e përsosur. Pas një ose dy orësh stërvitje, ose mundje me miqtë, ose stërvitje me njerëz të ndryshëm, më bën gati të shkoj dhe të zgjidh çdo problem në punë”,  është shprehur ai për angazhimin e tij në këtë sport.

Miliarderi vuri në dukje gjithashtu se ai stërvitet me trajnerin Dave Camarillo, i cili e ndihmoi të fitonte një medalje ari dhe argjendi në konkursin e tij të parë, jiu jitsu në maj.

“Kam konkurruar në turneun tim të parë jiu jitsu dhe kam fituar disa medalje për ekipin Guerrilla Jiu Jitsu,” u shpreh Zuckerberg.