15 dhjetor 2013 – Nëse ke mbaruar doktoraturën, kjo nuk do të thotë se e ke më të lehtë për të gjetur një vend pune. Pasi shumë prej atyre që e kanë mbaruar një ciklin më të lartë të arsimimit, quhen të mbikualifikuar për vendet e punës që ofrohen dhe në këtë mënyrë nuk pranohen, e ndërkohë nga ana tjetër kërkesa për vende pune është më e lartë se sa oferta. Kështu shprehet dekani i Fakultetit Ekonomik, Sulo Hadëri, i cili thotë se në Shqipëri të rinjtë kanë presion të madh psikologjik për të ndjekur ciklet e arsimit, e nxitur kjo nga kërkesa për të zënë një vend pune.

 Ai thotë se duhet t'i jepet fund edhe masivizimit të doktoraturave, dhe dhënies së titujve pa kriter. "Oferta e tregut të doktoraturave është shumë e madhe, sepse ka më shumë kërkesa për doktoraturë se sa është i aftë tregu i punës të ofrojë. Çdo luhatje mes ofertës dhe kërkesës shkakton shqetësim. Oferta është shumë e madhe, njerëzit shkojnë të tregun e punës dhe nuk gjejnë punë, dhe kërkojnë punë me nivel më të ulët, dhe kjo nuk pranohet sepse quhen të mbikualifikuar", tha Hadëri. Dekani i Ekonomikut shton se ky deformim i raportit mes atyre që kërkojnë vende pune dhe asaj çka ofrohet nga tregu, ka ardhur edhe si pasojë e ndryshimit të sistemit të arsimit të lartë. “Unë personalisht dhe shumë të tjerë, por edhe në vendet përreth mendojnë se 4+1 është shumë më i mirë, por ishte më normale për vendet si Shqipëria, që është një vend trazicioni. Katër vite janë të mjaftueshme për të përgatitur një specialist të arsimit të lartë për në tregun e punës", vijoi ai. Aktualisht fakultetet po shqyrtojnë kuotat e pranimeve për ciklin e doktoraturave dhe në janar ato pritet t'ia përcjellin Ministrisë së Arsimit dhe sporteve. Më pas do të jetë Këshilli i Ministrave ai që do të japë miratimin përfundimtar për numrin e doktorantëve.