Gjykata e Hagës nuk urdhëroi ndalim të menjëhershëm të luftimeve në Rripin e Gazës, por vendimet paraprake të dhëna në seancën e kësaj të premteje ishin të pafavorshme për Izraelin.

Mes vendimeve paraprake, Izraelit i kërkohet të ndalë të gjitha aktet që mund të konsiderohen “genocid”, përfshirë vrasjet dhe plagosjet mes palestinezëve, shkatërrimet në zonat e populluara prej tyre.

Trupa gjykuese urdhëron Tel Avivin të mundësojë hyrjen e ndihmave humanitare dhe shërbimeve për civilët në Rripin e Gazës dhe të ndalë prishjen e provave në terren që mund të faktojnë aktet e mundshme të gjenocidit.

Po ashtu, Izraeli duhet të paraqesë çdo muaj një raport mbi ecurinë e përmbushjes së këtyre vendimeve.  

Gjykata urdhëroi që pengjet që mbahen nga Hamasi të lirohen menjëherë. Ajo që analistët veçojnë nga kjo seancë, është që gjykatësit nuk e përjashtuan mundësinë se në Rripin e Gazës të jetë kryer Gjenocid.

Ata thonë po ashtu se vendimi për ndalimin e luftimeve nuk u mor pasi konventat ndërkombëtare e njohin luftën mbrojtëse, si në rastin e Rripit të Gazës që ishte reagim i Izraelit ndaj sulmit nga Hamasi në territorin e tij.

Për një vendim përfundimtar nga Gjykata e Hagës mund presim me muaj e ndoshta me vite.