Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, i dënuar për krime lufte nga trupi gjykues i Gjykatës Speciale, është urdhëruar dhe për zhdëmtimin e viktimave të tij në shumën e 208 mijë eurove.
Më 16 korrik, Shala u dënua me 18 vite burg nga Gjykata e Specializuar për krime lufte e Kosovës, me seli në Hagë. Ai u shpall fajtor për ndalim arbitrar dhe torturë kundër të paktën 18 personave, siç thuhet në aktakuzë, dhe përfshirjen në vrasjen e një personi qershorin e vitit 1999, në fabrikën e metalit në Kukës.
Sipas Gjykatës, viktimat kanë qenë kryesisht shqiptarë të Kosovës, të cilët dyshohej se bashkëpunonin me Serbinë, ose nuk përkrahnin UÇK-në Shala, i njohur me nofkën “Ujku”, është deklaruar më parë i pafajshëm për të gjitha akuzat. Gjykata thotë se dëmshpërblimi do t`u ndahet tetë viktimave.
E para prej tyre, me dëme më direkte është parashikuar të përfitojë 100 mijë euro dëmshpërblim për dëme fizike, mendore dhe materiale. Kjo sepse sipas vendimit paraprak, mbi bazën e të cilit Shala u dënua, personi në fjalë është ndaluar në mënyrë arbitrare, e është keqtrajtuar fizikisht e psikologjikisht me pasoja afatgjata.
Në anën tjetër, shuma e mbetur është ndarë në kompensime individuale dhe kolektive për shtatë viktimat e tjera, jo të drejtpërdrejta, përkatësisht familjarë të atyre që përshkruhen si viktima të tij.
Anëtarja e Gjykatës Speciale, Mappie Veldt-Foglia deklaroi gjatë dhënies së vendimit se “përgjegjësia për pagesën bie ekskluzivisht te Shala”, edhe pse sipas saj, nga informacionet që ka marrë paneli gjyqësor, Shala aktualisht nuk ka mundësi materiale për ta shlyer kompensimin.