Komisioneri europian për zgjerimin Johannes Hahn vendos kufij të qartë se ku duhet të përqëndrohet një marrëveshje e mundshme mes Kosovës dhe Serbisë.

“Çdo zgjidhje në Ballkan duhet të krijojë më tepër stabilitet. Marrëveshja midis Serbisë dhe Kosovës duhet të zhvillohet nga udhëheqësit e të dyja vendeve. Është bërë progres, por është shumë herët për të folur për detajet”.

Komentet i bëri nga Viena përpara takimit informal mes ministrave të Jashtëm europianë dhe atyre të vendeve që synojnë të jenë pjesë e unionit.

Teksa në të dyja vendet diskutohet ideja e rishikimit të kufijve, prestigjiozja ‘The Economist’ në një analizë të saj sheh si skenarin më të mundshëm të një marrëveshjeje përfundimtare mes Prishtinës dhe Beogradit atë që përmban njohjen e pavarësisë së Kosovës në kufijtë aktualë, por edhe shpalljen e autonomisë së krahinave serbe të veriut.

Ideja e ndarjes territoriale ka përçarë politikën kosovare. Kreu i Kuvendit Kadri Veseli akuzoi opozitën se po institucionalizon debatin për ndarjen e Kosovës, me kërkesën për votimin e një rezolute më 4 Shtator që e ndalon Presidentin Thaçi  të shtrojë për diskutim rishikim e kufijve.

“Ngritja e kësaj teme të rrezikshme në diskursin e brendshëm politik do ta dëmtojë Kosovën në procesin e dialogut duke krijuar argumente në favor të eksponentëve anti-Kosovë që dëshirojnë ndarjen e Kosovës”.

Ndërsa Kryeministri Ramush Haradinaj tha përmes Facebook-ut se shkëmbimi i territoreve është ftesë për tragjedi të reja në Ballkan.