Deputetja e Partisë Demokratike, Rudina Hajdari, ka vendosur të japë rrogën e saj mujore për riparimin e dritareve të shkollës që u dogj mbrëmjen e kaluar në Shkodër, pasi një grup personash u përpoqën të dëmtonin materialet zgjedhore.

Përmes një mesazhi në “Facebook”, Hajdari deklaron se djegia e shkollës ishte një traumë kombëtare dhe dhunë antishqiptare.

“Djegia e shkollave në Shkodrën e kulturës dhe traditave ishte një traumë kombëtare dhe dhunë antishqiptare. Për këto arsye vendosa sot që pagën (rrogën) mujore ta dhuroj për riparimin e dritareve të shkollës që u dogj dje në këtë qytet nga ata që nuk janë as demokratë dhe as socialistë, por thjesht servilë të kryetarit dhe shpresojnë që në të ardhmen të shpërblehen me parimin: ‘Kush djeg dhe shkatërron më shumë bëhet drejtor ose doganier’. Le të jetë paga ime fillimi i një fushate ndërgjegjësimi nga çdo shqiptar që kërkon një Shqipëri si Europa”, shkruan ajo.