TIRANE,12 shtator 2013- Heroi i Demokracisë, Azem Hajdari, nga sot do të prehet në varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Pas ceremonisë së homazheve të organizuar nga Bashkia e Tiranës, që nisi sot rreth orës 10:00, eshtrat e liderit të dhjetorit u zhvendosen nga Sharra drejt Varrezave të Dëshmorëve.
Për më shumë se dy orë në Pallatin e Kongreseve personalitete të larta të jetës politike, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ish-kryeministri Berisha, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, njëkohësisht edhe Kryetar i Partisë Demokratike, 4 ministra të qeverisë Rama, përfaqësues të partive politike në vend, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë si Taulant Balla e Pandeli Majko nga PS si dhe deputetë demokratë Astrit Patozi, Ridvan Bode, Genc Ruli, Sokol Oldasgi, etj., bënë homazhe në nderim të udhëheqësit të Levizjes Studentore 1990, që çoi në rrëzimin e regjimit komunist.
Homazhe bënë gjithashtu edhe Ambasadori i SHBA, Arvizu, ai i BE-së, Sequi dhe i OSBE, Wilton, si dhe kreu i Komunitetit Myslyman, Selim Muça dhe kreu i Kishës Katolike Imzot Rrok Mirdita, ish-presidenti Alfred Moisiu. Ndërkohë, homazhe zhvilluan dhe studentë të dhjetorit ‘90, intelektualë, nismëtarë të lëvizjes për demokraci, miq, shokë dhe kolegë të Azem Hajdarit.
Azem Hajdari, Heroi i Demokracisë, mban titullin më të lartë të Republikës së Shqipërisë “Urdhrin e Flamurit” dhe urdhrin më të lartë në Republikën e Kosovës, “Medaljen e Lartë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, të dhënë nga ish–Presidenti Ibrahim Rugova. Azem Hajdari është Qytetar Nderi i Tiranës dhe pothuajse i të gjithë bashkive dhe komunave të Republikës së Shqipërisë.





