Në përfundim të takimit të Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore, në një prononcim për mediat deputetja Rudina Hajdari thumboi manifestimin e djeshëm të Presidentit Meta teksa tha se nuk është nevoja që të dalim në sheshe dhe të ulërasim por të bëjmë hapa konkrete.

“Kishim për të diskutuar mbi temën e propozimeve që do të kishim në tryezë për ndryshimin e sistemit, por u shty me konsensus, më 6 mars. Dua të theksoj se vendosmëria ime dhe e opozitës parlamentare vazhdon dhe do të bëjmë propozimet tona. Sugjeroj plotë që dhe partitë e tjera ta marrin seriozisht këtë iniciativë. Nëse do flasim sot të shprehim vullnetin tonë për të përshëndetur vullnetin qytetar për të qenë i përfaqësuar në parlamenti, duhet të respektojmë nenin 2 të Kushtetutës. Nuk mjafton që të dalin në sheshe dhe të ulërasim, por të bëjmë hapa konkrete që kanë të bëjnë me hapjen e listave që njerëzit të kenë mundësi që të përfaqësohen sot. Kjo gjë nuk po ndodh sot. Ne duhet të tregojmë popullit se jemi këtu për ata dhe se nesër përfaqësimi i tyre do të jetë i denjë. Uroj që javës tjetër të vijojmë misionin për hapjen e listave për një sistem të barabartë për të gjithë”, -tha ajo.