Paraditen e sotme, nga një pallat 11 katësh në lagjen nr.5 të qytetit, i cili do të shembet në ditët në vazhdim për shkak të dëmtimeve të marra nga tërmeti, ishin duke u larguar orenditë e fundit.

Po ndërsa qytetarët zhvendosin objektet e fundit që u kishin mbetur në godinë, ata kanë ngritur shqetësimin për vjedhjet e shumta që janë bërë nga hajdutët në sistemin elektrik gjatë orëve të natës.

Duke qenë se godina është e braktisur dhe prej saj janë hequr edhe dyert e dritaret, elementë keqbërës kanë vjedhur hekurat dhe pajisjet elektrike, si salvavita etj.

Ndërhyrjet e hajdutëve kanë vënë në rrezik jetën e qytetarëve që po largojnë orenditë, pasi ata kanë rënë në kontakt me energjinë elektrike.

Në jo pak raste, përgjatë dy viteve të fundit, pallatet e planifikuara për t’u shembur, janë “inspektuar” fillimisht nga hajdutët, që kanë marrë prej tyre gjithçka që mund të tregtohej.

Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, u miratua shembja e 2 pallateve 11 katëshe në lagjen nr.5 të Durrësit, për të cilët Instituti i Ndërtimit ka kërkuar demolimin e tyre.