ITALI, 23 mars 2013 – Po darkonin me hajdutët brenda në shtëpi, por nuk kishin kuptuar asgjë se ç’po ndodhte përreth tyre. Ngjarja e çuditshme ka ndodhur në qytetin e Bergamos.
Karabinierët janë njoftuar natën e 22 marsit nga një kalimtar që kishte parë tre persona të maskuar të dilnin nga një vilë aty pranë. Kur policia italiane ka mbërritur në shtëpinë e sinjalizuar ka konstatuar tentativën e grabitjes, por njëkohësisht ka kuptuar se të zotët e shtëpisë kishin vijuar qetësisht të konsumonin darkën, ndërsa në shtëpinë e tyre hajdutët “hidhnin” valle.
Tre grabitësit janë larguar me një makinë tip Renault Megane, e cila kishte marmitë shumë të zhurmshme.
Pas sinjalizimit për këtë rast, policia nisi menjëherë kontrollet në zonë deri kur gjetën makinën e parkuar me dy persona brenda të shtrirë në sedilje, për të mos u vënë re nga agjentët.
Policia italiane bëri të ditur se të ndaluarit janë dy të rinj shqiptarë me precedentë penalë. Shqiptarët me iniciale P.K., 30 vjeç, dhe B. E., 28 vjeç figuroninme banim në Treviglio. Tashmë cv-së së tyre i shtohet edhe një tjetër akuzë, “tentativë grabitjeje”.
/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/





