Esin Hakaj beson te rimarrja e vendit të tretë dhe sigurimi i zonës “Euro”, përtej humbjes në FushëKrujë. Mbrojtësi i Teutës thekson se skuadra gaboi përballë Kastriotit, megjithatë beson se ndaj Laçit do të kthehen te rezultatet pozitive.
“Ndaj Kastriotit shumë gjëra nuk shkuan mirë dhe kryesorja ishte mungesa e përqendrimit. Bëmë shumë gabime dhe për rrjedhojë u ndëshkuam. Kishim shanse edhe të barazonim, e nëse kjo do të ndodhte, loja mund të merrte tjetër rrjedhë. Tashmë duhet të mendojmë për javën e fundit, ku përballë do të kemi një skuadër që di të shndërrohet nga momenti në moment, përtej ecurisë negative që ka pasur në javët e fundit. Por, ne do të vazhdojmë të luftojmë deri në fund dhe do ta fitojmë ketë ndeshje”, u shpreh fillimisht mbrojtësi.
Kur pyetet nëse do të jetë ky një shans edhe për të marrë “hak” pas disfatës së thellë që pësuan në fazën e tretë, ai përgjigjet:
“Nuk bëhet fjalë për hakmarrje, por për të marrë tri pikët. Kjo do të thotë nëse fiton Teuta këtë ndeshje, ka mbaruar çdo gjë dhe sigurojmë Europën. Ku ka më bukur kur feston mundin e një viti përballë një rivali direkt. Kam shumë besim se këtë sezon do të arrijmë Europën. Jemi të gjithë shumë profesionistë, por kemi edhe një staf të përgatitur. Por, mbi të gjitha, punojmë në një ambient që nuk ka presion dhe kjo na ndihmon shumë. Çdo rival është i fortë dhe çdo kundërshtar ka objektivat e tij. Për ne, të gjitha ndeshjet janë të vështira. Andaj, do të futemi në fushë vetëm për fitore. Pak rëndësi ka se cilin ekip kemi përballë, pasi ne do të vazhdojmë në rrugën për Europë”.
Nuk kishte si të mos fliste edhe për tifozët, të cilët i fton që të jenë të shumtë në 90 minutat e fundit të sezonit. “Presim që të jenë të shumtë dhe të na mbështesin. Tifozët duan akoma më shumë rezultate të mira, por mendoj që këta djem deri tani kanë bërë mirë dhe meritojnë që të kenë një stadium të tejmbushur në 90 minutat e fundit të sezonit”, përfundoi Hakaj.





