Teuta ka rritur intensitetin e seancave stërvitore për ndeshjen me Partizanin dhe dje bregdetarët zbritën dy herë në fushë. Paradite punuan me përgatitësin atletik, Eduart Salillari, ndërsa pasdite me Gentian Begeja, ku fokusi ishte tek ushtrimet teknikotaktike.Mbrojtësi Ante Hrkaç nuk ishte prezent në dy seancat e para për shkak se kishte një ditë më tepër leje nga stafi teknik, ndërkohë mesfushori Ardit Hila shqetëson stafin teknik. Elbasanasi punoi normalisht me ekipin paradite, por pak para fundit të stërvitjes ndjeu dhimbje në kavilje. Mbrojtësi Esin Hakaj, duke pranuar forcën e kundërshtarit, thotë se kjo është një ndeshje ku barazimi nuk duhet të diskutohet.

“Është një ndeshje shumë e rëndësishme, pasi në këtë moment me të vërtetë rrezikojmë shumë dhe nuk duhet të gabojmë më. Po e përgatisim me kujdes takimin dhe shkojmë për të marrë më të mirën, por edhe një pikë nuk do të ishte keq”, tha shkodrani. Hakaj e sheh pozitiv faktin se kjo ndeshje do të luhet pa tifozë, pasi të kuqtë janë të dënuar nga Komisioni i Disiplinës.

“Partizani ka tifozë shumë të zjarrtë dhe sigurisht që është një plus për ne. Megjithatë, ata kanë një ekip të fortë dhe do të jetë një ndeshje tepër e vështirë, por ne shkojmë për të marrë më të mirën nga kjo ndeshje. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të guximshëm për të surprizuar. Në fakt, në këtë moment nuk ka ndeshje të lehta, pasi të gjitha ekipet kanë një objektiv, dikush për të arritur Europëm e dikush për mbijetesë. Çdo ndeshje duhet të konsiderohet si finale dhe të marrim maksimumin në takimet e mbetura. Në këtë moment nuk mund të presësh nga të tjerët, por të japësh gjithçka në fushë me synimin e vetëm për të grumbulluar sa më shumë pikë”, vazhdoi Hakaj që pranon problemet në mbrojtje të ekipit të tij.

“Kemi pasur probleme në mbrojtje dhe kjo duket qartë, por kur nuk mbron si ekip, gjithç- ka bëhet më e vështirë. Nëse luajmë si para disa javësh, jam i bindur se do të ngjitemi në klasifikim. Nëse tani do të kishim gjysmën e atyre pikëve që kemi lënë kur kemi qenë të parët në avantazh, do të flisnim ndryshe”, ka mbyllur Hakaj.