Kryeministri, Edi Rama ka hedhur poshtë lajmin e shpërndarë në disa prej mediave shqiptare ku thuhej se hacker-at të cilët kanë sulmuar sistemin qeveritar të vendit, kishin vendosur një gjobë prej 30 milionë eurosh në këmbim të ruajtjes së të dhënave.

Nëpërmjet një postimi në twitter, Rama bëri thirrje që artikujt të tillë të mos publikoheshin nga mediat pasi ishin lajme të rreme që përhapnin panik.

Reagimi i Plotë nga kryeministri, Edi Rama:

Gjyqet me median për shpifje, përfshirë edhe shpifjet që përhapin panik, nuk janë në praktikën e qeverisë sonë! Prandaj i bëj thirrje publike TCH të ndalë menjëherë valën e shpifjeve dhe përhapjen e panikut lidhur me pasojat e agresionit kibernetik mbi Shqipërinë!

Lajmet për një gjobë 30 milionë euro nga hakerat apo për shkatërrimin e të dhënave janë krejt të rreme! Qeveria ka informuar aq sa mund të informojë, në ndërkohë që lufta nuk ka mbaruar dhe pas hakerave qëndron një shtet tjetër, jo një bandë dosido digjitale që merret me gjoba!

AKSHI dhe një skuadër e superspecializuar ekspertësh të huaj,po luftojnë natë e ditë për rimëkëmbjen e plotë në kohë rekord të sistemeve pas zmbrapsjes së sulmit.Eshtë e turpshme që të gënjehet publiku në këtë farë feje,cilatdo qofshin motivet e kësaj vale shpifjesh haluçinante!