Një grup hakerësh të njohur me pseudonimin “Robert”, të lidhur me Iranin, ka deklaruar se ka në zotërim 100 gigabajt email-e të dërguara midis anëtarëve të rrethit të ngushtë të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Në një bisedë online me agjencinë Reuters, grupi pretendoi se kishte vjedhur korrespondencën elektronike të figurave kyçe si Susie Wiles, shefja e stafit të Shtëpisë së Bardhë, avokatja Lindsey Halligan, këshilltari Roger Stone dhe Stormy Daniels, aktorja e filmave për të rritur e përfshirë në një nga skandalet më të bujshme të ish-fushatës presidenciale.
Hakerët pohuan se mund të shesin materialin, por nuk dhanë asnjë informacion të mëtejshëm për përmbajtjen ose qëllimin e tyre.
Ndërkohë, Agjencia Amerikane e Sigurisë Kibernetike dhe Sigurisë së Infrastrukturës (CISA) reagoi përmes një deklarate në platformën X, duke e cilësuar këtë si një fushatë propagandistike me qëllime shpifjeje dhe destabilizimi të Presidentit Trump dhe stafit të tij.
Ky kërcënim kibernetik vjen disa javë pas bombardimit nga SHBA i uzinës iraniane të përpunimit të uraniumit në Fordow, në kuadër të tensioneve të rritura mes Iranit dhe Izraelit mbi programet bërthamore.
Në një deklaratë më 30 qershor, CISA paralajmëroi se aktorët iranianë mund të synojnë rrjete amerikane të cenueshme, përfshirë kompani të mbrojtjes me lidhje izraelite.
Sipas FBI-së, kjo nuk është hera e parë që grupe të mbështetura nga Irani përfshihen në sulme të tilla.
Në vitin 2024, një grup i ngjashëm kishte publikuar email-e nga administrata Trump, ndërsa dërgonte mesazhe të pakërkuara edhe drejt fushatës së rivalit Joe Biden.
Hetimet e mëvonshme çuan në paditjen e tre individëve me lidhje me Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), e shpallur organizatë terroriste nga SHBA që prej vitit 2019.
Sipas raportit të fundit të Departamentit Amerikan të Inteligjencës Kombëtare (DNI), operacionet kibernetike iraniane përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë e rrjeteve dhe të dhënave amerikane, ndërsa grupet e sponsorizuara nga shteti iranian vazhdojnë të shënjestrojnë me intensitet objektiva strategjikë në SHBA dhe aleatë të saj.