SHBA, 12 korrik 2014 – Policia gjermane ka mundur të arrestojë një ndër shqiptarët më të kërkuar në botë, i cili akuzohet për mashtrime kompjuterike me vlerë 14 milionë dollarë.
 
Ai është Qëndrim Dobruna, 27 vjeç, i cili pas arrestimit ka pranuar fajësinë dhe është ekstraduar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku ndaj tij ka nisur tashmë një hetim.
 
Dobruna ka shpjeguar për hetuesit se ai ishte pjesë e një grupi hakerash dhe me anë të klonimit të kartave të kreditit, arrinin të përfitonin vlerat monetare.
 
Vepra penale për të cilën ai e pranoi fajin mbart një shumë prej 30 vite burg dhe një gjobë prej 1 milion $, por pas marrëveshjes me qeverinë amerikane Dobruna rrezikon 9 vite burg bëjnë me dije mediat, ndërsa vendimi për të pritet të jepet më 24 tetor.
 
Grupi i hakerave i cili nga provat e mbledhura deri më tani përbëhej nga 7 persona, kanë kryer 15 000 transaksione në ATM duke përdorur karta krediti të klonuara, duke kryer tërheqje parash në 18 vende të botës mes tyre dhe në Kosovë dhe Shqipëri, bëjnë me dije hetuesit. /

agjencia e lajmeve "Dyrrah"/