Afganistan, 1 maj 2014 – Dy prindër në Afganistan i kanë prerë veshët dhe hundën një kleriku lokal, pasi ky i fundit kishte abuzuar seksualisht me vajzën e tyre 14-vjeçare.

Prindërit e kishin mësuar historinë e abuzimit nga goja e vajzës së tyre dhe për këtë menduan hakmarrjen.Abdul dhe Sulltana Kahar, nga provinca Baglan, e ftuan hoxhën për darkë në shtëpinë e tyre, e lidhën dhe nisën ta prisnin me thikë në fytyrë.

“Ia preva veshët dhe hundën e më pas i hodha jashtë. Mbase ia kanë ngrënë macet”,-tha për Reuters babai i adoleshentes, e cila i kishte thënë prindërve për abuzimin seksual 4 muaj më parë.

Kleriku ka bërë denoncimin në polici dhe të dy prindërit janë arrestuar. Gjithsesi ata nuk kanë shfaqur pendesë për aktin e kryer.

Ndërkohë kleriku 32-vjeçar mohon kategorikisht të ketë abuzuar seksualisht me vajzën. Policia ka nisur një hetim ndaj tij.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/